Dita e 100-të e protestës, qytetarët rrethojnë paqësisht Kryeministrinë

Dita e 100-të e protestës, qytetarët rrethojnë…

Protesta kundër klasës politike ka shënuar këtë të hënë 100 ditë qëndresë, ndërsa qytetarët janë mbledhur sërish në Tiranë për të përcjellë kërkesat e tyre për ndryshim dhe për një politikë të re.

Tubimi nisi pas orës 19:00 në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj klasës politike dhe ngritën një sërë thirrjesh kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” ishin disa prej sloganeve të dëgjuara gjatë protestës.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan fjalimet dhe thirrjet e tyre.

Në ditën e 100-të u zhvillua edhe një aksion simbolik. Protestuesit u kapën dorë për dore dhe formuan një rreth përreth Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhin e bashkimit dhe të vijimit të qëndresës.

Protesta synon të shprehë kundërshtimin ndaj klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë dekadave të fundit, ndërsa një prej kërkesave kryesore të protestuesve vijon të jetë largimi i Edi Ramës dhe ndryshimi i mënyrës së qeverisjes.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit