Sot Shqipëria kremton Ditën e Alfabetit, ditën kur kujtohet Kongresi i Manastirit që bashkoi mendjet dhe gërmat e një kombi të tërë. Por paralelisht, pa shpallje zyrtare, vendi kremton edhe “Ditën e Zegjines”, simbol i fenomenit të deputetëve që përballen me alfabetin sikur ai të ishte shpikur dje: me frikë, hutim dhe shpesh me ndihmën e një skenari që e lexojnë sikur po zbulojnë një hartë të re gjeografike.
Ndërsa në muzeun e Manastirit ekspozohen me krenari dokumentet që sollën unifikimin gjuhësor, në Kuvend shfaqet përditë versioni modern i “kaosit fonetik”, ku shumë deputetë, jo vetëm Zegjina si ikonë e këtij fenomeni, e kanë të vështirë të lexojnë shifra, të deshifrojnë fjali të thjeshta apo të mos e humbin fillin midis një presjeje dhe një pike. Është një duel i pazakontë: alfabeti historik përballë alfabetit të përditshëm, që duket se ka nevojë urgjente për një manual përdorimi.
Kështu, teksa sot nderohen ata që na dhanë shkronjat, realiteti politik na kujton se punët e alfabetit nuk mbarojnë kurrë. Dita e Alfabetit feston fitoren e gjuhës shqipe, por të sjell në mend Zegjinen dhe analfatizmin në Parlament. Ndërsa nderojmë ata që na dhuruan alfabetin, mbetet vetëm të shpresojmë që një ditë Alfabeti të gjejë përdorim të plotë edhe në Parlament.