Djali i diktatorit famëkeq kandidon për president, familja e tij akuzohet se ka plaçkitur miliarda dollarë

Djali i diktatorit famëkeq kandidon për president,…

Djali i diktatorit të ndjerë të Filipineve, Ferdinand Marcos, i cili mban të njëjtin emër me babain e tij, njoftoi të martën se do të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Ferdinand Marcos Jr, i cili në popull njihet si “Bongbong”, ishte shpallur si një kandidat potencial ose për presidencën ose nënpresidencën.

“Bashkohuni me mua në këtë kauzë më fisnike dhe ne do të kemi sukses. Së bashku, ne do të ngrihemi përsëri,” tha 64-vjeçari në një fjalim të transmetuar në mediat sociale, shkruan Gazeta SHQIP.

Marcos ka shërbyer si guvernator krahinor, kongresmen dhe senator dhe kandidoi pa sukses për zëvendëspresidencën në 2016, një humbje që ai e sfidoi në gjykata. Motra e tij Imee është një senatore dhe nëna Imelda një ish -kongresiste.

Ai është kandidati i katërt që shpall kandidimin për presidencën.

Senatori Panfilo Lacson, një ish -shef policie, gjithashtu synon të kandidojë në garë për të zëvendësuar Presidentin Rodrigo Duterte, i cili nuk lejohet të kandidojë për një mandat të dytë sipas kushtetutës, dhe ka vendosur të dalë në pension. Edhe legjenda e boksit Manny Pacquiao nga Filipine, ka njoftuar se do të tërhiqet nga ky sport për t’u përqëndruar në karrierën e tij politike. Kampioni botëror i shumë divizioneve, i cili është senator në Filipine ka shpallur tashmë synimin e tij për të kandiduar për president në zgjedhjet e vendit 2022.

Marcos të martën bëri një betim si kryetar i një partie politike që më herët e kishte emëruar atë si kandidatin e saj presidencial.

Kandidimi i tij për postin kryesor do të ishte një hap i madh në një vend ku shumë janë ende duke u shëruar nga epoka e sundimit ushtarak të viteve 1970 të plakut Marcos.

Familja e tij, një nga më të famshmet në Filipine, ka kërkuar prej kohësh të restaurojë imazhin e saj dhe në mënyrë të përsëritur ka mohuar akuzat se ka plaçkitur miliarda dollarë pasuri shtetërore kur ishte në pushtet./

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit