Protesta e fermerëve, procedohen dy organizatorët në Lushnje

Protesta e fermerëve, procedohen dy organizatorët në…

Ditën e djeshme një grup fermerësh nga Berati, Lushnja, Fieri dhe Dimali organizuan një protestë në vendin e quajtur ‘Ura e Kuçit’, ku shprehën shqetësimet e tyre për gjendjen në të cilën ndodhen dhe mosvlerësimin e prodhimeve që kultivojnë.

Këtë të martë, Policia bën me dije se janë referuar materialet në prokurori dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për dy organizatorët e protestës, shtetasit A. M., 36-vjeç banues në Lushnje, dhe M. Z., 43-vjeç me banim në Dimal. ‘Krimi’ që organizatorët e protestës kanë bërë, është se kanë ngritur njerëzit në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre, dhe më pas këta të fundit kanë bllokuar për disa minuta aksin rrugor ‘Berat-Lushnje’ në formë tubimi.

Edhe pse ministria e Bujqësisë nuk ka bërë asgjë për t’iu gjendur pranë fermerëve, këta të fundit tashmë po tentohet të pengohen për të dalë në protesta, duke ndaluar organizatorët dhe intimiduar fermerët.

Të revoltuar një ditë më parë protestuesit hodhën produktet e tyre në rrugë, duke kërkuar që Ministria e Bujqësisë të ndërhyjë në rregullimin e çmimeve të tregut, pasi sipas tyre, grumbulluesit i marrin produktet e tyre me çmime të ulëta dhe pa faturë tatimore. Kjo gjë po i dërgon fermerët drejt falimentit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit