Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht në Roskovec, ku një 35-vjeçar ka vrarë ish-vjehrrin e tij, plagosur ish-vjehrrën dhe më pas ka marrë peng ish-bashkëshorten.
Sipas dëshmisë së vëllait të viktimës, krimi ishte i planifikuar. Ai deklaroi se autori kishte pasur më herët probleme me drejtësinë, duke u arrestuar tri herë, por ishte liruar në çdo rast.
“Dëgjuam zhurma dhe britma nga brenda. Ai kërcënonte se do të na vriste të gjithëve. Policia mbërriti pas rreth një ore. Autori doli nga pjesa e pasme e shtëpisë, pasi makinën e kishte lënë në një vend tjetër. Mori vajzën dhe u largua. Ata kishin pasur probleme prej kohësh. Tre herë është arrestuar dhe tre herë është liruar. Madje ishte edhe në arrest shtëpie. I thoshte vazhdimisht se pa të nuk mund të jetonte. Kur hyra brenda, gjeta vëllanë dhe kunatën të shtrirë,” rrëfeu ai.