Do sigurojë 2 makina me 20 milionë/ Rama ‘shpërblen’ Tomin, besnikun e tij që do të mbyllë portalet

Do sigurojë 2 makina me 20 milionë/…

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka nisur nga tenderimet e ndryshme dhe shpenzimet operative, pavarësisht se vendi është në gjendje të Fatkeqësisë Natyrore dhe shpenzime të tilla nga ana e institucioneve shtetërore ishin ndaluar me VKM nga kryeministri Rama.

Këtë gjë e kanë konfirmuar për  “Atdheu.com” burime konfidenciale nga AKEP, të cilat kanë vënë në dispozicionin tonë edhe dokumentin ku tregohet qartë hapja e tenderit nga drejtori Tomi Frashëri.

Kliko këtu për Dokumentet e Tenderit

Burimet kanë bërë të ditur se, “tenderi është urdhëruar të zhvillohet nga vetë drejtori i AKEP-it, Frashëri, i cili u ka kërkuar vartësve të tij përpilimin e dokumentacionit formal, si dhe hapjen e tij jozyrtare me qëllim marrjen e ofertave. Por nga ana tjetër, drejtori Frashëri ka kërkuar nga vartësit e tij mbajtjen sekret të kësaj procedure, për arsye të pandemisë së COVID-19, si edhe sepse kjo procedurë nuk është plotësuar ende nga Autoriteti Kontraktor dhe nuk është bërë publike në Buletinin e Njoftimeve Publike për Tenderat Shtetërorë”.

Sipas dokumentit që “Atdheu.com” ka siguruar nga burimet në AKEP, del qartë në pah vlera e konsiderueshme prej 21 milionë lekësh e këtij tenderimi që drejtori Frashëri ka kërkuar të përdoret për sigurimin “Kasko” të dy automjeteve të Njësive të Lëvizshme të Monitorimit në terren të “Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Frekuencave” (QKMF).

Nga sa mësohet prej të njëjtave burime, “këto automjete përdoren nga ekspertët e QKMF-së, për realizimin e monitorimit dhe matjeve në terren të frekuencave televizive dhe rrezatimit që shkaktojnë antenat televizive dhe ato celulare në mjedis”.

Por edhe pse vetë automjetet e specializuara të pajisura edhe me aparatura të posaçme mund të kenë një vlerë specifike për funksionin që kryejnë, përsëri siguracioni “Kasko” i këtyre dy automjeteve nuk mund të kapte këtë vlerë limit që AKEP dhe drejtori Frashëri kanë përcaktuar në dokumentin e përpiluar për hapjen e tenderit publik.

Duke ju referuar dokumentit që  “Atdheu.com” ka siguruar, afati i fundit për pranimin dhe paraqitjen e ofertave nga operatorët private që do të marrin pjesë në tender, është data 09.06.2020 deri në orën 10:00, pra i referohet këtij muaji, në një kohë që si për ironi, deri në datën 23 Qershor 2020 me vendim të Parlamentit Shqiptar dhe kërkesë të kryeministrit Rama, vendi është nën masat e situatës së fatkeqësisë natyrore të krijuar nga Pandemia e COVID-19.

Pra thënë ndryshe, deri në këtë datë të paktën asnjë institucion shtetëror nuk duhet të kryejë tenderime dhe as të shpenzojë fonde publike për të bërë shpenzime operative. Por duket se kjo gjë nuk funksionon për institucionet që drejtohen nga miqtë e kryeministrit Rama, siç është edhe drejtori aktual i AKEP-it, Tomi Frashëri.

Ashtu si në këtë rast, duket qartë që shteti vepron hapur me dy standarde, si edhe në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë apo asaj të Mbrojtjes, ose në rastet e disa PPP-ve, ku vetë qeveria ka kaluar miliona euro subjekteve dhe kompanive private, pavarësisht se një pjesë e madhe e qytetareve nuk përfituan asnjë ndihmë financiare për të siguruar qoftë edhe bukën e gojës.

E njëjta gjë pra ka vijuar në heshtje edhe me këtë tender të AKEP-it, ku edhe pse shuma financiare e akorduar nuk është shumë e konsiderueshme, përsëri mënyra e hartimit të tenderimit, por edhe gjetja e zërit për shpenzim vishet me hije dyshime dhe lë hapësira abuzimi.

Nga ana tjetër të gjithë e kanë të qartë se vetë drejtori i AKEP-it, Tomi Frashëri, është një prej beniaminëve të kryeministrit Rama, të cilin ky i fundit e ka përdorur me mjeshtëri kohët e fundit për të goditur dhe mbyllur organe të caktuara mediatike në vartësi të tij, apo për të ushtruar presion institucional tek portalet dhe platformat online të lajmeve, të cilat me zell kryeministri i ka konsideruar si “kazani mediatik”.

Pikërisht edhe për këtë, duket se ky tender i zbuluar dhe i publikuar nga “Atdheu.com”, është një dhurate e vogël ose shpërblim modest për kreun e AKEP-it, Tomi Frashërin, i cili deri disa muaj më parë mbante detyrën e Shefit të Protokollit të kryeministrit Edi Rama, dhe njihet si një prej njerëzve më të besuar të këtij të fundit. Frashëri, u votua në Kuvend më 19 dhjetor 2019, ditë kur në parlament pritej të kalonte me votat e Rilindjes edhe paketa e njohur si “anti-shpifja”, e cila synonte që t’i jepte kontroll AKEP-it dhe nëpërmjet tij edhe qeverisë së Rilindjes, dhe që do të drejtohet nga një njeri i afërt i kryeministrit Rama, i cili ë bashku edhe me AMA-n ka kërkuar gjithmonë vënien nën kontroll të mediave në vend e sidomos të atyre elektronike. Por fatmirësisht kjo gjë jo vetëm që ngjalli reagimin dhe zemëratën e komunitetit të mediave, por edhe pati një jehonë dhe reagim të fortë edhe tek ndërkombëtarët, që nuk lejuan instalimin e një ligji të tillë dhe të një diktati mbi median e lirë në Shqipëri.

Kujtojmë se qeveria socialiste është investuar prej 2 vitesh në krijimin e një pakete të quajtur “Paketa Anti-shpifje”, e cila do të votohej nga Kuvendi i kontrolluar prej socialistëve. Kjo paketë, synonte të vendoste as më pak dhe as më shumë sesa rregulla në mediat online. Me një ligj të tillë, Shqipëria do të kthehej në vendin e vetëm në Europë, që gazetarët dhe mediat gjobiten me vendime administrative.
Por përveç gjobave, media online do të përballej edhe me mbyllje, ku parashikohej një gjë e tillë kur publikohet 5 “fake news” dhe portali bllokohet për një vit./Atdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit