Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, se “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si Slobodan Millosheviçi, ka shkaktuar reagime të ashpra në Bruksel.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e dënoi deklaratën duke e cilësuar të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane. Ajo theksoi se nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon apo glorifikon spastrimin etnik dhe kërkoi nga liderët politikë serbë të tregojnë përgjegjësi dhe të kontribuojnë në pajtim e stabilitet rajonal.
Paunoviç i bëri komentet gjatë një interviste për median serbe “Kurir”, duke deklaruar se në vitin 1998, po të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si Millosheviçi, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata e saj u kritikua edhe për ndikimin që mund të ketë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.