“Do të përplasemi në tokë”, si u rrëzua avioni në Florida dhe thirrja e fundit e pilotit

“Do të përplasemi në tokë”, si u…

Nëntë persona humbën jetën pasi një avion privat i tipit Learjet 60 u rrëzua dhe shpërtheu në flakë në kontenë Palm Beach, në Florida të SHBA-së. Ky është aksidenti i dytë më vdekjeprurës ajror në vend gjatë vitit 2026, sipas të dhënave të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB).

Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e viktimave dhe as detaje të plota për personat që ndodheshin në bord. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se avioni dukej si një raketë që po binte drejt tokës. Fatmirësisht, nuk janë raportuar viktima në tokë, por përplasja shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe bllokoi hyrjen në një kompleks banesash, duke lënë rreth 600 banorë në nevojë për strehim të përkohshëm.

Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom, në Teksas, me destinacion Bahamasin. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe NTSB kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë.

Momentet e fundit të fluturimit

Komunikimet me kontrollin ajror zbulojnë se pak minuta para rrëzimit piloti kishte raportuar formim akulli në sipërfaqen e avionit dhe turbulenca të moderuara.

Temperatura e jashtme kishte zbritur në minus 47 gradë Celsius, ndërsa avioni po përballej me kushte të vështira atmosferike.

Situata u përkeqësua me shpejtësi. Piloti kërkoi leje për t’u ngjitur në një lartësi më të madhe, por pak çaste më vonë shpalli emergjencën, duke raportuar një humbje të jashtëzakonshme të lartësisë.

Sipas regjistrimeve të komunikimeve me kontrollin ajror, piloti njoftoi se avioni po zbriste me shpejtësi maksimale përpara se të paralajmëronte se përplasja me tokën ishte e pashmangshme.

Të dhënat e platformës ADS-B Exchange tregojnë se avioni humbi rreth 8.230 metra) lartësi brenda vetëm një minute, përpara se të ndërpritej transmetimi i sinjalit.

Në zonë kishte stuhi të shpërndara, ndërsa avioni kishte kaluar pranë një zone me aktivitet më intensiv atmosferik. FAA kishte lëshuar gjithashtu një paralajmërim të posaçëm për rreziqet që paraqisnin stuhitë në atë hapësirë ajrore.

Dyshimet për kushtet atmosferike

Ekspertët po shqyrtojnë mundësinë që formimi i akullit dhe turbulencat të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit. Akulli në krahë dhe në sipërfaqet e avionit mund të ndryshojë aerodinamikën dhe ta vështirësojë ruajtjen e lartësisë dhe shpejtësisë.

Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e aksidentit.

Analistja e aviacionit për CNN, Mary Schiavo, ish-inspektore e përgjithshme e Departamentit amerikan të Transportit, tha se të dhënat e fluturimit tregojnë se avioni nuk po kryente një zbritje të kontrolluar.

Sipas saj, shpejtësia e jashtëzakonshme e rënies sugjeron se ekuipazhi kishte humbur kontrollin e avionit. Ajo ngriti gjithashtu mundësinë që forcat e mëdha gjatë zbritjes të kenë shkëputur pjesë të tij dhe të kenë dëmtuar regjistruesin e të dhënave të fluturimit.

Hetimet për shkaqet e tragjedisë

Avioni u rrëzua pranë rrugës Military Trail, në Palm Beach. Përplasja shkaktoi dëme në zonën përreth, ndërsa autoritetet mbyllën përkohësisht qarkullimin në të dy drejtimet e rrugës.

Banorët raportuan shpërthimin e fuqishëm, ndërprerjen e energjisë elektrike dhe një re të madhe tymi të zi që u ngrit mbi vendngjarje.

Hetuesit e NTSB-së do të analizojnë mbetjet e avionit, regjistrimet e komunikimeve me kontrollin ajror, të dhënat teknike dhe kushtet meteorologjike. Ende nuk dihet nëse avioni ishte i pajisur me regjistrues të bisedave në kabinën e pilotëve dhe nëse ai mund të rikuperohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit