E dashura e 23-vjeçarit Xhimi Bakaj, që u vra pak ditë më parë në Fier, ka treguar detaje të reja nga ngjarja e rëndë.
Duke folur për një emision televiziv, ajo tha se ish-bashkëshorti, Xhuliano Miho, i cili është vrasësi i 23-vjeçarit, e kërcënonte vazhdimisht dhe nuk e linte të vazhdonte jetën e saj edhe pse ishin divorcuar.
Ajo tha se edhe 24 orë para ngjarjes së rëndë, ish-bashkëshorti i kishte dërguar një mesazh zanor dhe e kishte kërcënuar, edhe pse si vetë ajo ashtu edhe i dashuri 23-vjeçar ishin pajisur me urdhër mbrojtje.
“Jam shtatzënë me fëmijën e viktimës. Nuk e di nëse Xhuljano e dinte për shtatzëninë, por ishte i fiksuar. Para se të ikja nga shtëpia thoshte “unë të vras, e di që je e vdekur dhe s’je me tjetër”. Kërcënonte edhe familjarët e mi. Mesazhi zanor 24 orë para krimit, atë ditë nuk kam dalë nga frika as në darkë dhe as gjatë ditës. Ditën tjetër dola me frikë dhe ndodhi ajo që ndodhi. I ka shkuar një pjesëtari të familjes, “të lumtë që ke fëmijët afër se do të kisha bërë kasaphanë”, ia hidhte fajin familjes time mbi atë çfarë ndodhi”.
Më tej ajo tha se ka shkuar në polici disa herë për të bërë denoncim, bashkë me prova, por policia e ka larguar duke i thënë se asgjë nuk do ndodhë.
“Në polici kam shkuar mbi 7 herë, kam shkuar me video, me mesazhe ku thoshte do t’ju vras, do t’ju zhduk. Më thoshin ‘hë se nuk ju vrau vërtet’. Policia na përcillte me këto fjalë. Nuk e thërrnin që ta merrnin në pyetje, apo ti thoshin që nuk rri larg se ka urdhër mbrojtje. Ai më thoshte “paske bërë kallëzim ti moj, por nuk edi që unë i kam të gjithë miq, nuk më gjen gjë fare, perëndinë zbrite dhe s’;ke shanse të shpëtosh nga mua. Unë dhe viktima kemi qenë të dy me urdhër mbrojtje”.