Dogana gjermane sekuestron 32 lëkura pitoni, paketa ishte nisur drejt Shqipërisë

Dogana gjermane sekuestron 32 lëkura pitoni, paketa…

Autoritetet doganore gjermane kanë bllokuar një ngarkesë me 32 lëkura pitoni në aeroportin Leipzig/Halle, e cila ishte nisur nga Indonezia drejt Shqipërisë. Ngarkesa u zbulua gjatë një kontrolli të transportit ajror, pasi një qen i specializuar për identifikimin e produkteve që vijnë nga kafshët e egra sinjalizoi pakon të premten në mbrëmje.

 

Sipas dokumenteve të transportit, paketa peshonte 13 kilogramë dhe kishte një vlerë të deklaruar prej 160 dollarësh. Ajo ishte regjistruar si një dërgesë që përmbante një xhaketë mode dhe një copë pëlhure batik. Megjithatë, gjatë kontrollit, doganierët zbuluan 32 lëkura pitoni të ngjyrosura në blu, të kuqe dhe të zezë, me gjatësi nga 3.4 deri në 4.5 metra, si dhe katër copa pëlhure.

 

E gjithë ngarkesa u sekuestrua për shkak të kufizimeve që parashikon legjislacioni europian për tregtinë e specieve të mbrojtura të kafshëve të egra. Agjencia Federale Gjermane për Mbrojtjen e Natyrës do të vendosë në vijim nëse rasti do të ndiqet penalisht. Në varësi të rrethanave, shkeljet e këtyre rregullave mund të dënohen me gjoba deri në 50 mijë euro ose me burgim deri në pesë vjet. BoldNews.al

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit