Administrata Doganore dhe Administrata Tatimore kanë nisur kontrolle në sektorin e karburanteve, duke identifikuar shkelje në dy pika karburanti në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për subjektet “Eida” dhe “Gega Oil”, për të cilat kishte dyshime për shmangie të detyrimeve ligjore dhe doganore. Kontrollet u zhvilluan në kuadër të një operacioni të përbashkët për monitorimin e tregut të produkteve energjetike dhe luftën kundër informalitetit.
Sipas autoriteteve, fillimisht subjektet u monitoruan në distancë dhe më pas, nga verifikimet paraprake, u konstatuan parregullsi në dokumentacion dhe mosdeklarim i plotë i aktivitetit. Një task-forcë e ngritur posaçërisht ushtroi kontrolle në terren, ku u evidentuan disa shkelje, mes tyre moslëshimi i faturës për transaksionet e kryera, mosafishimi i listës së çmimeve për konsumatorët, mospërditësimi i të dhënave të biznesit si dhe prania e punonjësve të padeklaruar.
Administrata Doganore bëri me dije se aksioni në Elbasan është vetëm hapi i parë i një serie kontrollesh që do të shtrihen në të gjithë vendin. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni synon të forcojë kontrollin mbi tregun e hidrokarbureve, të garantojë konkurrencë të ndershme dhe të monitorojë çmimet, duke parandaluar abuzimet dhe evazionin fiskal në këtë sektor.