Dokumente false, kokainë dhe pastrim parash: Shqiptari dhe motra e tij dënohen në Angli

Dokumente false, kokainë dhe pastrim parash: Shqiptari…

Tre shtetas shqiptarë, mes tyre një vëlla dhe motra e tij, janë dënuar me burg në Angli, pas një hetimi policor që zbuloi aktivitetin e një grupi të krimit të organizuar, i përfshirë në shpërndarjen e kokainës në disa zona të qarkut Wiltshire.

Vendimi u dha nga Gjykata e Kurorës në Swindon, ku të tre të pandehurit pranuan një sërë akuzash që lidhen me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara.

Daniela Sopiku, 26 vjeçe, e cila më parë banonte në Newport Street, në zonën Old Town të Swindonit, u dënua me nëntë muaj burg. Ajo pranoi akuzën për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim përdorimin e tyre për veprimtari të paligjshme. Gjatë procesit gjyqësor, ajo pranoi gjithashtu akuzën për përvetësimin dhe përdorimin e pasurive që rridhnin nga aktiviteti kriminal.

Vëllai i saj, Hysen Sopiku, 21 vjeç, u dënua me tre vite burg. Ai u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë përfshirjen në furnizimin me drogë të kategorisë A, posedimin e kokainës me qëllim shpërndarjen, mbajtjen e pasurive të përfituara nga krimi, si dhe drejtimin e automjetit pa siguracion dhe në kundërshtim me kushtet e lejes së drejtimit.

Ndërkohë, Alvaro Vrapi, 18 vjeç, i cili nuk kishte një adresë të përhershme banimi, u dënua me 28 muaj burg. Ai pranoi akuzat për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe për përfshirjen në furnizimin me drogë të kategorisë A.

Operacioni policor që çoi në arrestimin e tyre

Ngjarja që vuri në lëvizje hetimet ndodhi në muajin qershor, kur policia ndaloi Hysen Sopikun dhe Alvaro Vrapin brenda një automjeti Nissan Qashqai. Sipas autoriteteve, dy të rinjtë u kapën në momentin kur po kryenin transaksione të lidhura me drogën.

Gjatë kontrolleve në disa prej vendeve që ata kishin frekuentuar po atë ditë, në Biddestone dhe Giddeahall, pranë Chippenham, u sekuestruan sasi droge me vlerë të përgjithshme mbi 11 mijë paund.

Më vonë, po atë ditë, efektivët arrestuan edhe Daniela Sopikun në zonën Old Town të Swindonit.

Kontrollet e mëtejshme zbuluan një aktivitet kriminal të organizuar, ku përdoreshin pajisje dhe materiale për përgatitjen e shpërndarjen e drogës. Policia sekuestroi gjithashtu shuma të konsiderueshme parash, sende luksoze të markave të njohura dhe dokumente identifikimi të falsifikuara.

Mes tyre ishte edhe një pasaportë italiane në emër të Daniela Sopikut, e cila u konfirmua si e falsifikuar nga autoritetet e emigracionit.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se Alvaro Vrapi përdorte dokumente të rreme për të hapur llogari bankare, të cilat më pas shfrytëzoheshin për të kryer transaksione të lidhura me aktivitetin kriminal.

Të ardhura të pajustifikuara mbi 53 mijë paund

Një pjesë e rëndësishme e hetimit u përqendrua edhe te gjurmimi i parave. Analizat financiare të kryera nga autoritetet treguan se tre të dënuarit kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara në një vlerë që kalonte 53 mijë paund.

Sipas hetimeve, asnjëri prej tyre nuk kishte burime të ligjshme të ardhurash dhe të tre ndodheshin në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme.

Duke komentuar përfundimin e çështjes, inspektori i policisë Jordan Gratton u shpreh i kënaqur me vendimin e gjykatës, duke theksuar se grupi kishte luajtur rol në shpërndarjen e kokainës në komunitete të ndryshme të Wiltshire.

Ai tha se të përfshirët kishin tentuar të fshihnin aktivitetin e tyre përmes dokumenteve të falsifikuara të identitetit dhe përdorimit të parave të siguruara nga veprimtaria kriminale.

Sipas Gratton, hetimi i gjatë dhe puna proaktive e policisë, ku u përdorën edhe metoda të ndryshme të fshehta hetimore, bënë të mundur mbledhjen e provave të mjaftueshme për të dokumentuar aktivitetin e grupit dhe për të ndërprerë veprimtarinë e tij kriminale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit