Dokumentet që tregojnë lidhjen e Samir Manes me koncesionin e Portit të Vlorës

Dokumentet që tregojnë lidhjen e Samir Manes…

Mediat kanë ngritur dyshime se pas koncesionit të famshëm të portit të Vlorës, koncesion prej 35 vitesh, ku do të ndërtohet një port jahtesh, fshihet njeriu më i pasur në Shqipëri Samir Mane.

Disa dokumente të publikuara GSH tregojnë se njëra prej kompanive që zotëron koncesionin në fjalë ka lidhje me “Balfin”, i cili është në pronësi të Samir Manes. Fjala është për kompaninë britanike “Marina Projects” LTD.

Kjo kompani e huaj britanike lidhet me kompaninë e Manes Balfin Group, përmes një kontrate me numër MP310-SOË-04 të nënshkruar në datën 26 gusht të 2020-s, pesë muaj para se Kryeministri Edi Rama të deklaronte dhënien me koncesion të portit ekzistues për t’u transformuar në port turistik dhe ndërtimin e portit të ri për mallra dhe pasagjerë në zonën e Triportit.

“Përmbajtja e kontratës është e klasifikuar, por ajo kushtëzon marrëdhënien mes dy ortakëve të koncesionit, ortakut të parë, që statuti i koncesionarit përcakton kompaninë “Marina di Valona” dhe ortakut të dytë, që është kompania britanike, “Marina Projects” LTD”, sqaron GSH.

Statusi i themelimit, në nenin 3.3 flet për “vendimmarrjet specifike të asamblesë së ortakëve thuhet se: “Ndryshimi i të drejtave dhe detyrimeve në Marina Service Agreement, ose çdo kontratë tjetër mes shoqërisë dhe ortakut të dytë do të bëhet në çdo rast me votat e ortakut të parë dhe ortakut të dytë”.

Kompania “Marina Projects” LTD zotëron vetëm 10 për qind të koncesionit, por përmbajtja misterioze e “Marina Service Agreement” ngre të tjera dyshime të forta se pas kompanisë së parë, pra kompanisë “Marina Di Valona”, që zotëron 30 për qind të koncesionit, qëndron pikërisht biznesmeni Samir Mane.

Dokumentet e publikuara nga Gazeta Shqip, nxjerrin në pah se, statuti është hartuar në mënyrë të tillë që ngjason me skemat e mirëfillta të përdorura në Shqipëri vitet e fundit në tendera dhe koncesione, ku kompanitë që shpallen fituese shesin aksionet e tyre për shifra qesharake te kompani të tjera.

“Dyshimet përforcohen edhe nga fakti që kompania britanike “Marina Projects” LTD, që në Shqipëri është bërë pjesë e një ‘thele’ të majmë në një koncesion me vlerë miliona euro në vit, në Britaninë e Madhe rezulton anonime. Bilancet financiare të saj në autoritetet britanike janë modeste prej disa mijëra paundësh, ndërsa vlera totale e aseteve që zotëron është rreth 500 mijë paund”, sqaron më tëj GSH.

Burimi:https://www.gazeta-shqip.com/investigim/dokumenta-ekskluzive-fijet-qe-lidhin-samir-manen-me-koncesionin-e-por-i1155856?fbclid=IwAR3Kiz0xJNn91gJj3oZ74jzA61HF7oUmff77tjdEh9spb_8bByOlaO-IWdk

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit