Dokumenti/ Komisionerja e Vetingut, Alma Faskaj, e shkarkuar nga KLD për paaftësi e shkelje ligjore

Dokumenti/ Komisionerja e Vetingut, Alma Faskaj, e…

Një dokument i siguruar nga “Boldnews.al” provon se anëtarja e Komisionit të Vetingut, Alma Vokopola (Faskaj) është shkarkuar nga detyra Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1996, për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Ky fakt vendos në pikëpyetje shumë të madhe “filtrat” e institucioneve shqiptare, si edhe misioneve ndërkombëtare, të cilat u angazhuan për përzgjedhjen e “juristëve më të mirë”, për procesin e revlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një dokument të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Rudin Baqli, shkruhet: “Alma Vokopola (Faskaj), me vendimin nr. 8, dt. 23.08.1996 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.

Ky fakt, i rëndë për një profesionist, duket se është mbajtur i fshehtë në aplikimin që zonja Faskaj ka dorëzuar për kandidimin si anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ligji për Vetingun parashikon se nuk mund të zgjidhen komisionerë personat që janë shkarkuar nga detyra me vendim të formës së prerë.

Në shkresën e Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk përmendet ndonjë ndryshim, revokim apo rrëzim i vendimit të shkarkimit të zonjës Feskaj nga detyra. Kjo do të thotë se ai vendim i vitit 1996 vijon të jetë në fuqi.

Është e paqartë se si është realizuar verifikimi i profesionalizimit të znj. Faskaj, pasi, në regjistrat shtetërorë rezulton se ajo është shkarkuar nga detyra për paaftësi dhe shkelje të ligjit.

Ky fakt vendos në pikëpyetje angazhimin e saj në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rasti i komisioneres Faskaj (Vokopola) nuk është i vetmi. Pak kohë më parë, “Boldnews.al” publikoi një dokument, në bazë të të cilit rezultonte se edhe anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, është shkarkuar nga detyra në vitin 1997.

E, megjithatë, Daci vijon të jetë ende në detyrë, pavarësisht zbulimit të dokumentave zyrtare.

Tashmë, në të njëjtën situatë rezulton të jetë edhe komisionerja e Vetingut, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm aftësitë profesionale, por edhe integritetin e të gjithë procesit të rivlerësimit. /Boldnews.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit