Dokumenti/ Si ndikoi 'Vodafone-Albania' te tregu i telefonisë në fillim të 2020 dhe rriti çmimet për klientët

Dokumenti/ Si ndikoi ‘Vodafone-Albania’ te tregu i…

Kompania “Vodafone-Albania” ishte nismëtarja e “idesë së re” për t;ua futur akoma më shumë konsumatorëve shqiptarë me tarifat e telefonisë celulare.

Këtë ujdi “Vodafone-Albania” mësohet ta ketë bërë në sinkronizim edhe me dy kompanitë e tjera të telefonisë mobile, “ALBtelecom” dhe “T-mobile”, duke gjetur edhe fijet me autoritetet e shtetit shqiptar.

Kjo zbulohet nga raporti hetimor që “Autoriteti i Konkurrencës” zhvilloi gjatë muajit shkurt 2020, mbi kompanitë celulare në vend, nisur nga ankesat e qytetarëve.

Burime pranë AK-së, i thanë “Gazetaatdheu.com” se pas nisjes së hetimit të tregut dhe hartimit të një rekomandimi për kompanitë celulare, në adresë të krerëve të Autoritetit u bë mjaft presion i fortë për “lënien në heshtje” të këtij operacioni.

“Ndaj drejtuesve të Autoritetit u bë një presion mjaftë i madh si nga ana e kompanive celuare, po ashtu edhe nga drejtues të AKEP-it, apo dhe deputetë socialistë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave”,- deklaruan burime nga AK-ja për ” Gazetaatdheu.com” nën kushtet e anonimatit.

Ndryshimet e reja që nisën në muajin shkurt, më saktë në 11 shkurt 2020, filluan me një rritje me 200 lekë për çdo paketë, për secilin pajtimtar të “Vodafone-Albania”.

“Teksa kërkova të rimbushja telefonin me paketën ‘Vodafone Z’ në fund të janarit, agjentja e shitjeve në një nga pikat e kompanisë në kryeqytet më informoi se në shkurt të gjitha paketat do të rriten me 200 lekë secila.

‘E kanë deklaruar të gjitha kompanitë njëherësh, do ta rrisin të gjitha njësoj’,- më shpjegonte me zell vajza e re duke mos ditur fare rëndësinë e atyre që po thoshte.

Në të njëjtën kohë, duke bërë llogaritë e saj, më ofroi që të kaloja në një plan tarifor me kontratë, që ishte me ulje duke qenë se paketa që merrja unë, me parapagesë do të rritej me 200 lekë.

Nuk vonoi dhe në faqen respektive zyrtare ‘Vodafone-Albania’ publikoi njoftimin që lajmëronin ndryshime në paketat 30-ditore me parapagesë”,- ishte dëshmia e atyre ditëve e një gazetari ekonomie, bërë në rrjetet sociale.

Ndryshimet që pësuan paketat e telefonisë celulare me parapagesë

Paketat që ofron “Vodafone-Albania” në treg për abonentët me parapagesë janë paketa standarde me minuta, SMS dhe MB interneti.

Ato janë: “Vodafone Talk”, “Vodafone Combo”, “Vodafone Z”, “Vodafone Silver” dhe “Vodafone Gold”.

Po ashtu ofron edhe tre paketa të tjera me njësi, të cilat shërbejnë si minuta, SMS dhe MB: YouMix S, YouMix M dhe YouMix L

Secila prej paketave u rrit në muajin shkurt me 200 lekë secila, por ndryshime pati edhe në njësitë që përfitohen. Paketa bazë mbetet e pandryshuar ndërsa “Combo Z”, “Silver” dhe “Gold” kanë pësuar rritje të njësive MB me 0.5, për paketën “Combo” dhe 1GB për katër paketat e tjera. Paketat me njësi mbetën të pandryshuara.

Si “Vodafone-Albania” ashtu dhe “ALBtelecom” rritën çmimet e paketave ekzistuese me 200 lekë.

Të dy operatorët kanë deklaruar se vlera minimale e rimbushjeve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve do të jetë 200 lekë.

Institucionet heshtin

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, i cili funksionon si rregullator referuar bazës ligjore në fuqi, duhet të miratonte në shkurt tarifat e ndryshuara në kompanive celulare në treg. Por në faqen zyrtare të AKEP-it të drejtuar në atë kohë nga Tomi Frashëri, në internet nuk u bë asnjë njoftim.

Pasi në pamje të parë rritja e menjëhershme në të njëjtën kohë e çmimeve për shërbime të ngjashme e tre kompanive, në këtë rast të kompanive të telekomunikacionit, përbën abuzim me pozitën dominuese.

Sipas ligjit të Konkurrencës, gjoba që mund të vendosë Komisioni i Konkurrencës në rastet e abuzimit me pozitën dominuese, arrin në masën 2 deri në 10% të xhiros totale të vitit financiar paraardhës.

Për raste të tilla Autoriteti i Konkurrencës këshillon që “nëse dyshoni për një sjellje anti konkurruese kontaktoni me Autoritetin e Konkurrencës i cili do të hetojë mbi këtë sjellje. Ligji i jep Autoritetit të Konkurrencës fuqinë për të hetuar dhe vepruar rreth sjelljeve anti konkurruese.”

Por në atë kohë Autoriteti i Konkurrencës, në dijeni se çfarë po ndodhte në treg me çmimet e paketave telefonike celulare për pajtimtarët me parapagesë, u përgjigj: “Duhet pyetur rregullatori AKEP nëse ka miratuar ndryshimet e paketave”.

Bilancet e tre kompanive celulare në tregun shqiptar nuk janë rozë. Ato kanë shënuar rënie si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe të fitimeve vitet e fundit.

Një vit më parë “Vodafone Albania” ishte i vetmi operator celular me fitim prej 700 milionë lekësh edhe pse në raport me fitimet e viteve të mëparshme është shumë larg.

Kurse “Telekom Albania” dhe “ALBtelecom” kanë vijuar të humbasin.

Gjatë 2018-s të ardhurat regjistruan 26.8 miliardë lekë, 10% më pak sesa në 2017.

Vitin e kaluar “Vodafone-Albania” dhe “Telekom Albania”, blenë frekuencat 800Mhz të cilat do të rrisin mbulimin dhe cilësinë e 4G, veçanërisht në zonat rurale, tender i cili i kushtoi secilës kompani 7.44 milionë euro.

Ndërkohë “ALBtelecom” rinovoi për 15 vjet licencën 900/1800Mhz, duke paguar 10.9 milionë euro.

“Vodafone” është operatori më i madh në vend me 1.264 milionë pajtimtarë aktivë, ndjekur nga “Telekom Albania” me 996 mijë dhe “ALBtelecom” me 446 mijë.

Por kjo situatë nuk justifikon abuzimin me konsumatorët dhe ligjin.

Një pajtimtari rritja e çmimit të një pakete do t’i kushtojë në buxhetin e tij për këtë shërbim 2400 lekë më shumë në vit, ndërsa institucionet shtetërore edhe pas rekomandimeve të AK-së, kanë vazhduar të heshtin./Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit