Domi: E pafalshme që po vaksinohen shqiptarët me vaksinë të pacertifikuar

Domi: E pafalshme që po vaksinohen shqiptarët…

Mjeku shqiptar që punon në SHBA, Arban Domi, e konsideroi të pafalshme përdorimin e vaksinës kineze Coronavac për vaksinimin e shqiptarëve.

Domi tha se nuk ka asnjë studim që të tregojë sigurinë e kësaj vaksine, e cila nuk është e certifikuar. Sipas tij, nuk ka asnjë publikim të fazës së tretë lidhur me vaksinën kineze.

“Për këtë vaksinë le të marrim të mirëqënë faktin se për atë janë kaluar të gjitha fazat, por sa siguri ka kjo vaksinë?

Kjo vaksinë garanton me të dy dozat e saj një mbrojtje prej 50.38 %”, tha Domi në një lidhje direkte me emisionin Log. në Abc.

Domi tha se vaksina ruse është më efikase dhe me shumë gjasa ajo mund të marrë miratimin nga EMA, ndërsa vaksina kineze Coronavac deri më tani nuk ka marrë miratimin e asnjë organizate, OBSH, EMA dhe FDA.

Domi tha se Shqipëria nuk është një republikë bananesh, por i takon kompanisë prodhuese që të japë sigurinë mbi vaksinën.

“Ku janë studimet lidhur me këtë vaksinë? Askush nuk i thotë, përfshi edhe kompaninë, e cila nuk ka publikuar të dhënat lidhur me sigurinë e vaksinës”, tha Domi.

Domi debatoi me Kreun e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj dhe ish-ministrin socialist të Shëndetësisë, Gjergji Koja, që kanë mbrojtur efikasitetin e vaksinës kineze.

“Ka zero të dhëna lidhur me vaksinën kineze, nuk ka asnjë të dhënë, ne sot nuk e dimë çfarë efektesh ka kjo vaksinë, sepse vetë kompania nuk ka publikuar të dhënat”, tha Domi.

Koja tha gjatë debatit se vaksina është administruar në 22 vende të Botës, ndërsa e pyeti mjekun Domi nëse vaksina ka pasur ose jo fatalitete?

“Nuk mund të themi asnjë gjë lidhur me këtë vaksinë, pasi edhe fazën e tretë të saj të dhënat i kemi të kushtëzuara.

Në Turqi fillimisht u tha se efikasiteti ishte 91 %, më pas zbriti në 83 %, por faza klinike u krye ne 40 persona, ndërkohë që në këtë fazë duhen minimalisht mbi 100 persona.

Në Indonezi efikasitetirezultoi 65% dhe në Brazil 50.38 %. Nëse Pfizer dhe Moderna që rezultojnë me një efikasitet 95 dhe 94.5 % do t´i zbresim 10-15 % efikasitet ndaj mutacioneve që ka pësuar virusi dhe të njëjtën përqindje do ia zbresim edhe vaksinës kineze, atëherë matematikën bëjeni vetë mbi sigurinë e kësaj vaksine”, tha Domi.

Përkundrejt argumenteve të mjekut Domi, Brataj dhe Koja u shprehën se edhe për vaksinën kineze kishte të dhëna të publikuara për fazën e tretë, por në fakt edhe pretendimet e tyre u rrëzuan sepse ajo çka ata iu referuan ishin të dhënat mbi fazat e para dhe të dytë të studimit, sërisht të dhëna të cunguara dhe aspak të besueshme.

As Brataj dhe as Koja nuk ishin në gjendje të thonin se ku i kishin lexuar të dhënat e vaksinave kineze, por shtuan se kjo vaksinë sot po përdoret në 22 vende të Botës./Bpld news

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit