Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj 15 personave të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se ka trafikuar 8.126 kilogramë lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Sipas SPAK, organizata kriminale ka operuar përgjatë viteve 2020-2021, duke transportuar 7.261 kg kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg kanabis sativa nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Spanjës, Holandës dhe shteteve të tjera evropiane. Hetimet kanë zbuluar se drejtues dhe financues të aktivitetit kriminal ishin Artur Hoxhosmani, Genti (alias Kili, alias Ekil) Nderjaku, Nazmi (alias Drazhi) Shahini, Devid Patrut (alias Devid Boraj, Elidon Skëndaj, Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, Andrea Dylgjeri), ndërsa pjesëmarrës në grup ishin Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani.
Sipas akuzës, Artur Hoxhosmani përballet me akuzat për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, drejtim të grupit kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, si edhe futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Genti Nderjaku dhe Nazmi Shahini akuzohen për trafikim të narkotikëve dhe drejtim të grupit kriminal, ndërsa Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej akuzohen për një episod të trafikut të kokainës në Guayaquil të Ekuadorit më 13 dhjetor 2020, si drejtues të organizatës. Klevis Hoxhosmani akuzohet për dy episode trafiku në Roterdam gjatë qershorit dhe tetorit 2020, ndërsa Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi dhe Amer Lloshi akuzohen për trafikimin e narkotikëve në episodin e 28 tetorit 2020 në Holandë. Julian Meçaj dhe Bledar Polovina akuzohen për prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të grupit kriminal në periudhën janar 2020 – mars 2021, ndërsa Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani për të njëjtën vepër penale si pjesëmarrës.
SPAK bën me dije se aktiviteti kriminal është koordinuar përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të siguruara nga autoritetet franceze në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Francës, Belgjikës, Spanjës, Britanisë së Madhe, Holandës, Brazilit, Italisë dhe Ekuadorit, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit. Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar pushimin e hetimeve për tre persona, pasi për një nga episodet Devid Patrut rezulton i dënuar nga drejtësia belge duke zbatuar parimin “ne bis in idem”, ndërsa ndaj Ilir Lloshit dhe Julian Pjetrit u konkludua se fakti penal nuk ekzistonte ose nuk provohej. SPAK njofton se hetimet do të vijojnë në një procedim të ndarë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe për hetimin pasuror e financiar të rrjetit kriminal.