Dosja hetimore/ Pagesa e të huajve për eliminimin e Nikulajt: Më bëj një nder si shok, të jap 50 euro

Dosja hetimore/ Pagesa e të huajve për…

Janë zbardhur detaje nga dosja hetimore e për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt. Ku për herë të parë evidentohet që thuajse të gjithë pjesëtarët e ekipit që organizoi vrasjen ishin me shtetësi të huaj, fenomen që nuk ka qenë shumë i përdorur më parë.

Autori që kreu krimin ishte Ruben Saraiva, një portugez 28-vjeçar, i cili shkeli në tokën shqiptare në orën 19:26 të datës 14 shkurt 2023 dhe qarkullonte lirshëm në fshatin Kakarriq të Lezhës, zonat përreth, por edhe në Shkodër.

Saraiva u kamuflua si një turist i huaj, i apasionuar pas shëtitjeve, të paktën kështu e njihnin deri në momentin që emri i tij nisi të lakohej si vrasësi i biznesmenit dhe politikanit vendor Ardian Nikulaj, krim ky që u konsumua mesditën e datës 19 prill 2023 në lokalin në pronësi të viktimës.

Pas zbardhjes së ngjarjes u zbulua se si 5 të huaj, 4 prej tyre shtetas britanikë dhe një portugez, u kontraktuan kundrejt një pagese, për të vrarë një personazh të plotfuqishëm si Ardian Nikulaj, që konsiderohej si i paprekshëm dhe nga pushteti.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se kjo është një histori e rrallë për vetë faktin se asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që në vrasje të përmasave të tilla të përfshiheshin kaq shumë të huaj njëkohësisht.

Sipas dosjes hetimore të siguruar i pari që mbërriti në Shqipëri, ishte porositësi dhe organizatori i kësaj vrasje, Edmond Haxhia, një 37 vjeçar me shtetësi britanike.

Ai kishte lindur në Lezhë, por pas hasmërisë që fisi Lekstakaj ku ishte nip kishte me Nikulajt, kish emigruar prej vitesh në Britaninë e Madhe, aty ku nuk dihet se cili ishte aktiviteti i tij i vërtetë.

Kjo hasmëri kishte lindur që në vitin e largët 1997, ndërsa si pasojë e saj ishin shkaktuar shumë viktima.

Ndërkohë ka qenë kamarieri i lokalit ai që ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen, pasi ishte aty prezent

Në momentin e ngjarjes, unë isha i ulur pranë banakut duke folur me banakierin. Pronari Ardiani, ndodhej i ulur vetëm në tavolinë përballë banakut. Në këtë kohë brenda lokalit u fut një person mashkull, rreth 1.85 cm i gjatë, i veshur me jelek të verdhë, me skafandër në kokë, i shëndetshëm i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të Ardianit, dhe më pas u largua me nxitim nga lokali.
Ditën e ngjarjes, nuk e mbaj mend saktësisht orën, në lokal hyri një shtetas i huaj, i cili komunikonte anglisht dhe porositi disa birra.

Më bëri përshtypje pasi personi në fjalë bënte lëvizje të dyshimta, duke lëvizur disa herë brenda dhe jashtë verandës së lokalit duke komunikuar në telefon dhe dukej që nuk ishte i qetë”, thuhet në dëshminë e kamerierit të lokalit.

Ajo që çoi grupin hetues në identifikimin e shpejtë të ekzekutorit dhe më pas të vëzhguesve dhe organizatorit të vrasjes së Nikulaj, ishte itinerari që vrasësi, një shtetas portugez i identifikuar si Ruben Saraiva ndoqi përgjatë ditëve të fundit.

Ai kishte intensifikuar lëvizjet me motor drejt vendit të krimit, por ajo që duket se e tradhtoi ishte gjuha e përdorur gjatë furnizimit të motorit me benzinë në një nga pikat e karburantit në Lezhë.

Ajo që e bindi edhe më shumë grupin hetues mbi atë që quhet lidhja e bashkëpunëtorëve me njëri-tjetrin, ishte sinkronizimi në dukje i lëvizjeve të vëzhguesit, me atë të motoristit.

Në të njëjtin orar, ndërsa i pari ndodhej në lokalin ku do të kryhej krimi, i dyti ishte tashmë në parkingun pranë lokalit, aty ku ishte ndalur edhe në ditët përpara vrasjes.

Ditën e ekzekutimit, personi i huaj që shfaqet në lokalin ‘Coral’ në orën 11.33, ndodhet aty pothuajse në të njëjtën kohë kur ekzekutori vjen në parkingun e pallatit, pranë vendit të krimit”, thuhet në dosjen hetimore.

.
I pyetur në lidhje me motoristin që u furnizua në karburantin ku ai shërbente, punonjësi u tha grupit hetues se ai iu drejtua në anglisht.

“Ai më tha “Ten lek”, duke më zgjatur dorën që e kishte bërë grusht ku kishte një kartmonedhë të prerjes 2 000 (dymijë) lekë të reja, që ishin të zhubravitura. Aty kuptova se personi ishte shtetas i huaj, pasi edhe fjalën ‘Lek’ mezi e shqiptonte me theks të huaj, ndërsa me fjalën ‘Ten’ që është anglisht kuptova se ai donte 10 mijë lekë karburant benzinë”, ka dëshmuar punonjësi i karburantit.

Ishin këto dëshmi të kamerierit dhe të punonjësit të karburantit si edhe pamjet filmike të itinerarit apo lëvizjeve të dyshimta të një shtetasi të huaj. Në këtë mënyrë u arrit edhe tek emri i Harry Simson, shtetasi britanik i cili kryen lëvizje të pazakonta në lokalin ‘Coral’ deri në momentin, kur aty kryhet krimi.

I pyetur nga grupi hetues në lidhje me Harry Simson, pronari i hotelit ‘B…’, pranoi se shtetasi britanik, kishte qëndruar në hotelin e tij deri më datë 19 prill 2023, ku nuk ishte i regjistruar.

Kjo pasi pagesën e bënte ditore dhe e përditësonte atë çdo ditë të qëndrimit të tij në hotel.

Ai ishte larguar nga hoteli vetëm pak minuta pasi ishte kryer vrasja e Ardian Nikulaj dhe i kishte pohuar pronarit të hotelit ku qëndronte, se po largohej pasi kishte dëgjuar krisma në lokalin ku kishte qenë duke qëndruar.

Ditën kur ndodhi vrasja e Ardian Nikulaj, shtetasi britanik doli nga hoteli im rreth orës 09:00.
Ai u kthye i trembur në drekë dhe tha se kishte dëgjuar krisma tek një lokal ku ai kishte qenë duke pirë. Ai më kërkoi të largohej dhe t’i thërrisja një taksi
”, thuhet në dëshminë e pronarit të hotelit.

Sipas dosjes hetimore ato që krijuan besimin te grupi hetues se Harry Simson ishte kontraktuar si vëzhgues nga Edmond Haxhia, për të kryer monitorimin në terren të Ardian Nikulaj, janë pamjet filmike në momentin e mbërritjes së tij në Rinas më datë 11 prill 2023.

Siç doli më pas nga hetimi, automjeti me të cilin shtetasi britanik Harry Simson lëvizi nga Rinasi në drejtim të Lezhës, rezultoi se ishte marrë me qira nga Edmond Haxhia gati një muaj më parë, në qytetin e Shkodrës.

Sipas policisë, personi që e ktheu makinën me qira, aty ku e kishte marrë, në Shkodër, nuk ishte Edmond Haxhia, por shtetasi O.C, të cilit makinën ia dha në Tiranë, e fejuara e Edmondit. E cila ia kishte kërkuar si nder dhe i dha 50 euro për këtë ndihmë.

Ajo më tha se makina që duhet të çoja në Shkodër ndodhej te parkingu nëntokësor tek hotel ‘Internacional’. Ajo më dha për këtë shërbim 50 euro dhe pasi u përshëndeta me të, mjetin tip ‘Volksëagen’ e kam çuar drejt Shkodrës.
Por fillimisht e kam larë në një lavazh në Tiranë, siç më porositi ajo. Pasi kam shkuar në shtëpi, shoku im K. më dërgoi numrin e personit që kishte marrë makinën me qira, i cili quhej Mondi, ku i kam shkruar në whatsApp, duke i thënë: ‘Ta kam çuar makinën në Shkodër, e ke në rregull”. Pas kësaj nuk ka komunikuar më me asnjërin prej tyre
”, thuhet në dëshminë e personit që ka kryer dorëzimin e makinës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit