Dosja "ARUBA" rikthen në skenë Ervis Martinajn, zbardhen biseda nga SkyECC

Dosja “ARUBA” rikthen në skenë Ervis Martinajn,…

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vite nga zhdukja e tij, emri i Ervis Martinajt, ish-bosit të lojërave të fatit, vijon të shfaqet në dosjet më të rëndësishme të autoriteteve shqiptare që lidhen me krimin e organizuar.

Pothuajse në çdo hetim ku analizohen aktivitetet e grupeve kriminale apo transaksione të dyshimta financiare, emri i Martinajt del sërish në materialet hetimore. Së fundmi, sipas raportimeve në media ai përmendet edhe në dosjen e koduar “ARUBA”.

Nga komunikimet e siguruara përmes platformës së enkriptuar SkyECC kanë dalë detaje të reja që lidhen me aktivitetin e tij. Në biseda përmendet përfshirja e Martinajt në atë që personat e përfshirë e cilësonin si “biznesi i betonit”, aktivitet që sipas hetimeve lidhej me ndërtimin e kullave në Tiranë.

Këto komunikime tashmë janë pjesë e dosjeve hetimore dhe po shqyrtohen nga autoritetet në kuadër të procedimeve për krimin e organizuar dhe aktivitetet financiare të dyshuara.

Në një nga bisedat e zhvilluara në qershor të vitit 2020 mes personave që sot rezultojnë në kërkim, përmendet shprehja: “Qenka punë Vis Martini”, duke iu referuar Ervis Martinajt.

Gjurmët e Martinajt humbën më 10 gusht 2022, pasi dyshohet se kishte udhëtuar drejt zonës së Shijakut. Që prej asaj dite ai rezulton i zhdukur, ndërsa familjarët kallëzuan rastin në Policinë e Lezhës.

Prokuroria regjistroi procedim penal për veprën “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, kryer në bashkëpunim. Megjithatë, pas muajsh hetimesh, çështja nuk solli rezultate konkrete, përveç disa kontrolleve të zhvilluara në banesat e Astrit Avdylit, Jasin Avdylit dhe Aldo Avdylit.

Grupi i Shijakut, ku përfshihet edhe Aldo Avdyli, është përmendur në hetime si një nga grupet që dyshohet se mund të ketë lidhje me zhdukjen e Martinajt. Drejtuesit e grupit janë marrë në pyetje nga Prokuroria, por kanë mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se në atë periudhë ndodheshin në “arrest shtëpie” dhe ishin nën monitorimin e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, babai i Ervis Martinajt është paraqitur disa herë në SPAK, ku ka deklaruar publikisht se beson se djali i tij nuk jeton më. Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të zbardhin ngjarjen, të gjejnë trupin e të birit dhe të vendosin drejtësi.

Sipas tij, në Prokurorinë e Kurbinit ka dorëzuar koordinata të sakta dhe emra konkretë personash që, sipas bindjes së tij, mund të kenë dijeni ose të jenë të përfshirë në zhdukjen e Ervis Martinajt. Megjithatë, ai pretendon se këto informacione nuk janë ndjekur me veprime konkrete hetimore dhe se çështja është lënë në harresë.

Babai i Martinajt ka ngritur gjithashtu akuza se drejtues të policisë kriminale ndër vite nuk kanë pasur interes për zbardhjen e ngjarjes. Ai thotë se të gjitha informacionet ia ka vënë në dispozicion edhe SPAK-ut, por që prej dorëzimit të tyre nuk ka marrë asnjë informacion për ecurinë e hetimeve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit