Dosjet e pronave, ja çfarë u diskutua në takimin sekret mes kreut të SPAK dhe Artan Lames

Dosjet e pronave, ja çfarë u diskutua…

Shkëmbimi i informacioneve lidhur me pronat e personave që janë nën hetim nga SPAK ishte në qendër të takimit që kreu i Kadastrës, Artan Lame, zhvilloi me kreun e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja.

Pavarësisht se zyrtarisht takimi konsiderohet si sekret, burime shprehen se në këtë takim i është kërkuar kreut të Kadastrës, që për secilin person nën hetim nga SPAK, Kadastra duhet të përgatisë dosjet e pronave.

Burimet theksojnë se veçanërisht kjo kërkesë ka të bëjë me subjektet e OFL-së, dosjet e të cilëve depozitohen nga policia në SPAK.

Mësohet se gjatë takimit është kërkuar që Kadastra të kthejë përgjigje të shpejta lidhur me çdo kërkesë që SPAK do të bëjë lidhur me pronat që posejdohen nga individë që hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

Duket se SPAK po kërkon të ballafaqojë dosjet që policia depoziton me pasuritë e subjekteve të OFL, me ato që ndodhen në Kadastra, përpara se procesi të vijojë me kalimin e tyre në Gjykatë.

Artan Lame refuzoi të fliste për mediet pas takimit, duke e konsideruar atë si sekret.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit