Dramatike, numri i lindjeve ra thuajse në të gjithë bashkitë në vitin 2022

Dramatike, numri i lindjeve ra thuajse në…

Viti 2022 shënoi rënien më të madhe vjetorë ndonjëherë që prej vitit 2015 të lindjeve të bebeve në vend.

Nga të dhënat zyrtare të INSTAT, në vitin 2022 në të gjithë vendin kanë lindur 24 688 bebe, teksa në disa bashki të vogla numri i lindjeve është dramatik. Kjo tregon se në një të ardhme të afërt, shumë emra bashkish do të harrohen dhe popullsia e tyre është e destinuar të largohet.

Bashkia që ka pasur rënien më të madhe të lindjeve në vend është ajo e Pukës, ku statistikat sugjerojnë se në vitin që shkoi numri i lindjeve ra me 40% në krahasim me vitin 2021. Në total në bashkinë e Pukës, përgjatë vitit 2022 kanë lindur vetëm 55 fëmijë, teksa një vit më parë ky numër ishte 91 bebe.

Bashkitë që renditen me një numër në rritje të lindjeve janë ajo e Këlcyrës 38.6%, Rrogozhina 36.6%, Konispoli 32.7%, Memaliaj 28% dhe Mirdita 27.7% më shumë se në vitin 2021. Nga 61 bashki që përbëhet Shqipëria, në 54 prej tyre numri i lindjeve në vitin 2022 ishte më i vogël së në vitin 2021, ndërsa vetëm 7 prej tyre pësuan një rritje të ulët.

Disa nga bashkitë që panë pësuar rënie të lindshmërisë ishin Delvina me 21%, Libohova me 19%, Saranda me 14.8%, Himara me 14%, Përmeti 12%, Tepelena 5.5%, Patosi 3.9%, Vora 3.75, Tropoja 2.6% dhe Peqini 1.2%.

Bashkia e Dropullit veçohet si më e rrënuara për sa i përket numrit të lindjeve në vitin 2022, ku gjatë gjithë vitit lindën vetëm 3 foshnje. Por ka edhe bashki të tjera ku lindjet e fëmijëve mund të numërohen me gishtat e duarve.

Rënia e numrit të lindjeve në bashkitë e vendit, duket të jetë ndikuar nga largimi i shfrenuar i banorëve drejt zonave urbane ku numri i popullatës është më i lartë. Kjo gjë është ndikuar nga kushtet e brendshme të këqija dhe mungesa e të ardhurave financiarë për të përballuar jetesën në këto territore. Duke pasur numër më të vogël banorësh, drejtpërdrejt ka rënë dhe numri i lindjeve.

Një tjetër faktor zinxhir që ka ndikuar në ikjen e banorëve nga bashkitë e vogla dhe automatikisht uljen e lindjeve në këto bashki, është zhvendosja e institucioneve publike nga bashkitë e vogla në qytetet e mëdha. Marrim si shembull se shumë nga shërbimet e banorëve të bashkisë Pukë, janë zhvendosur në Shkodër. Për shkak të distancës së zonave ku banorët jetojnë në territorin e bashkisë Pukë dhe vendeve ku mund të marrin shërbime, shumë prej tyre janë detyruar të braktisin vendlindjen.

Mungesa e politikave për zhvillimin e popullsisë në këto territore, ka ndikuar në largimin dhe braktisjen e banorëve të tyre. Nga ana tjetër një bonus që qeveria vendosi për çiftet që bëhen prindër, duket se nuk ka dhënë ndikim në rritjen e numrit të lindjeve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit