Një 29-vjeçar është shpallur fajtor për vrasjen e Lorik Abazit, 22 vjeç, gjatë një përleshjeje jashtë një salle bowlingu në Croydon, në jug të Londrës, në orët e para të 15 shkurtit, pas festimeve të Shën Valentinit.
Ellis Anim-Annor pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe për të mbrojtur të dashurën e tij. Megjithatë, juria e gjykatës Old Bailey, pas afro 12 orësh diskutimesh, e shpalli të pafajshëm për vrasje me dashje, por fajtor për vrasje nga pakujdesia.
Sipas prokurorisë, konflikti nisi pasi të dy grupet ishin larguar nga ambientet e bowlingut. Përplasja u përshkallëzua në një sherr fizik, gjatë të cilit Anim-Annor përdori një thikë, duke goditur Abazin në zemër. Dy persona të tjerë mbetën gjithashtu të plagosur.
Abazi u transportua me urgjencë në spitalin Croydon University, por ndërroi jetë në orën 02:01. Dy të plagosurit e tjerë u dërguan në spitalin St George’s.
Gjykata e shpalli gjithashtu Anim-Annor fajtor për plagosje të paligjshme ndaj një personi tjetër, ndërsa vendimi përfundimtar mbi dënimin është shtyrë për më 5 shkurt 2027. Ndërkohë, 29-vjeçari është lënë në paraburgim.
Policia Metropolitane theksoi se kjo ngjarje tragjike dëshmon edhe një herë rrezikun e mbajtjes së thikave në rrugët e Londrës. Përfaqësuesi i policisë shprehu ngushëllimet për familjen dhe partneren e Lorik Abazit.