
Xhoi Hoxholli, Drejtori i Kabinetit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është parë në mënyrë të vazhdueshme në krah të ministrit Blendi Gonxhe gjatë takimeve elektorale të tij pasi është kandidat për deputet në listën e hapur të Partisë Socialiste në njësinë nr. 6 në Tiranë.
Pjesëmarrja e Hoxhollit në këto aktivitete ka ngjallur vëmendje, pasi ai mban një detyrë shtetërore dhe është në vartësi të drejtpërdrejtë të ministrit Gonxhe. Në pothuajse të gjitha postimet zyrtare të fushatës së Gonxhes në rrjetet sociale, Hoxholli shihet përkrah tij, duke ngritur pikëpyetje mbi kufirin mes funksioneve publike dhe përfshirjes në aktivitete partiake gjatë orarit zyrtar.
Pjesëmarrja e një funksionari të këtij niveli në aktivitete politike ngre pikëpyetje mbi respektimin e parimit të paanshmërisë që duhet të garantojnë shërbimet publike, sidomos në periudha zgjedhore.
Ligji shqiptar për administratën publike ndalon përdorimin e funksioneve shtetërore për qëllime politike apo elektorale gjatë ushtrimit të detyrës.
Nuk dihet nëse Hoxholli ka marrë pjesë në këto takime si qytetar apo zyrtar, por prania e tij ngre debat për etikën në administratën publike dhe ndarjen e qartë të funksioneve shtetërore nga angazhimet politike.