Nga Ministria e së Vërtetës.
Pasi shpalli “luftën e shenjtë” globale ndaj rrezikut më të madh që i kanoset sigurisë kombëtare, yjeve të ulëta në Google Reviews, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij brilante. Burime ekskluzive pranë repartit të Anti-Krimit Kulinar konfirmojnë se Hita ka dorëzuar uniformën e policisë për të veshur përparsen e kuzhinierit nën urdhrat e oligarkut të peshkut, Gjergj Luca.
Vendimi vjen menjëherë pas konferencës urgjente për shtyp ku kryepolici alarmoi kombin se Krimi Kibernetik po gjurmon plot 10,000 llogari të dyshimta që guxuan të shkruanin “tavë krapi pa kripë” ose “shërbim i ngadaltë” në restorantet e rëndësisë së veçantë strategjike, ku bën pjesë edhe perandoria “Rozafa Fish City”.
Nga prangat te tigani: Operacioni “Kallamari”
Sipas dëshmitarëve okularë në kuzhinën e Lucës, Hita u përshtat menjëherë me ambientin e ri, duke aplikuar metodat më të rrepta të zbatimit të ligjit mbi qepët dhe patatet.
“Nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për të destabilizuar salcën e domateve,” dëshmohet të ketë thënë Hita teksa rrihte me rrahëse vezësh një salmon të dyshuar për “aktivitet të koordinuar sabotues”. “Çdo levrek që nuk ka shije të mirë, do të ndalohet për 48 orë në ambientet e ngrirjes së thellë për verifikim.”
Mësohet se struktura e specializuar e Policisë Kibernetike tashmë ka instaluar serverë të dedikuar direkt mbi lavamanin e pjatave të Lucës. Çdo klient që merr guximin të hapë telefonin dhe të lërë 2 yje në TripAdvisor sepse peshku kishte hala, do të rrethohet brenda 4 minutave nga forcat RENEA me akuzën “Tradhëti e lartë ndaj turizmit rilindas” dhe “Terrorizëm digjital kundër midhjeve”.
Luca: “Më në fund një shef që të fut në burg”
Vetë pronari i “Fish City”, Gjergj Luca, u shfaq mjaft i eksituar nga prurja e re në stafin e tij të kuzhinës, duke e konsideruar këtë si kulmin e reformës në drejtësi dhe gastronomi.
“Ky është shteti që duam! Çfarë janë këto komente ‘sallata s’kishte vaj ulliri’? Kush jeni ju që komentoni? Agjentë të huaj! sabotatorë të sukseseve tona! Skënder, fshije atë profil që shkroi ‘peshku vjen erë’, dhe dërgoi nja dy patrulla te shtëpia për kontroll banese,” bërtiste Luca me altoparlant, duke i hedhur Hitës disa tufa me majdanoz për t’i grirë sipas kodit të procedurës penale.
Ndërkohë, qytetarëve shqiptarë u bëhet thirrje që përpara se të lënë një review në Google, të konsultohen me avokatin e tyre ose të shkruajnë me detyrim: “Ushqimi ishte hyjnor, kamarieri meriton medalje ari, rroftë turizmi elitar”, ndryshe rrezikojnë të hanë darkën e vitit të ri në qelitë e paraburgimit, duke provuar supën e re të përgatitur personalisht nga shef Skënderi.