Prej të premtes, banorët e rrugës “Nikolla Nishku”, Njësia nr. 5, në Komunën e Parisit, Tiranë, janë pa furnizim të rregullt me ujë. Sipas denoncimeve të banorëve, uji shkon në çezmat e tyre maksimumi 30 minuta në ditë, ndërsa operatorët e UKT-së japin përgjigje kontradiktore dhe nuk ofrojnë një afat për zgjidhjen e situatës.
Banorët thonë se kanë bërë të gjitha ankesat e mundshme, por autoritetet nuk reagojnë. Sipas banorëve operatorët nuk janë të informuar për problemin dhe kërkojnë sqarime nga fillimi sa herë që telefonohen. Banorët kërkojnë zgjidhje nga kryebashkiakja e komanduar e Tiranës Anuela Ristani dhe drejtori i UKT-së Skerdi Drenova.
Denoncimi i qytetarit:
A mund të bëni një thirrje, ju lutem? Që nga e premtja jemi pa ujë në Rrugën Nikolla Nishku, Njësia nr. 5, Komuna e Parisit, Tiranë. Flasim çdo ditë me shërbimin e UKT-së dhe, fatkeqësisht, çfarë thotë një operator nuk e thotë tjetri. Problemi është se uji mund të ketë ardhur maksimumi 30 minuta në ditë, tashmë prej 3 ditësh! Kemi bërë çdo ankesë të mundshme askush nuk jep zgjidhje. Operatorët shpesh nuk janë as në dijeni të mungesës së furnizimit dhe duhet t’ua shpjegosh situatën nga fillimi, për t’u përgjigjur më pas: “Po, zona ka probleme me furnizimin me ujë, por nuk e dimë kur do të zgjidhet.”
Banorët u bëjnë thirrje Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, bashkisë Tiranë për ndërhyrje të menjëhershme, për t’i dhënë fund mungesës së ujit në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.