
Banorët e zonës së Selitës në Tiranë po përballen me një krizë të rëndë ujit, në kulmin e vapës përvëluese të verës. Mungesa totale e ujit të pijshëm ka krijuar një situatë dramatike për qindra familje, ku pleq, fëmijë dhe gra shtatzëna vuajnë çdo ditë mes nxehtësisë së padurueshme dhe mungesës së kushteve elementare të jetesës. Qytetarët detyrohen të mbajnë bidona nëpër duar në kërkim të një pike uji, teksa po iu rikujtojnë kohët më të vështira të kohës së diktatorit Enver Hoxha.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ Albania, A mund të na e postoni ju lutem këtë mesazh? 5 dite jemi pa ujë në Selitë dhe situata është shumë e rëndë. “O Zot, nuk rrihet pa ujë në këtë vapë përvëluese! Selita vuan pa pikë uji – pleq, fëmijë, gra shtatzëna, të gjithë po dergjemi nga të nxehtit! Jemi bërë si në kohën e xhaxhi Enverit, me bidona nëpër duar dhe me shpresë për një pikë ujë! Deri kur kështu?! Na dëgjoni! UJI është jetësor!” Faleminderit nga zemra nëse e ndani!
Skerdi Drenova i Ujësjellës Kanalizime Tiranë nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete pavarësisht denoncimeve apo telefonatave të banorëve. Banorët kërkojnë me urgjencë ndërhyrjen e autoriteteve për të zgjidhur këtë krizë jetike. Uji nuk është luks, por një nevojë themelore për jetën dhe dinjitetin njerëzor. Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë menjëherë për t’u dhënë fund këtyre kushteve çnjerëzore në një nga zonat që vazhdon të mbetet e harruar edhe pse është pjesë e kryeqytetit. Zgjidhja nuk mund të presë më.