Dritan Leli pa kufij, 1.2 miliardë lekë për të ruajtur objektet e Bashkisë në Vlorë

Dritan Leli pa kufij, 1.2 miliardë lekë…

O Leli, po si shumë qenkan vëlla? 1.2 miliardë lekë për të ruajtur me roje objektet e Bashkisë Vlorë? Edhe me flori të ishin veshur rojet, prapë do të kushtonin më pak. E pra, kjo është situata në Shqipëri. Mjafton çfarëdolloj “sebepi” dhe miliardat “fluturojnë në ajër” sikur i merr era.

Në rastin konkret skandali merr përmasa më të mëdha. Kjo sepse ligjërisht, përkatesisht me Vendimin Nr. 177 datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave është krijuar shoqëria shtetërore “Illyrian Guard” Sh.a. e cila do të ofrojë shërbimin e ruajtjes dhe sigurimit për të gjitha institucionet dhe shërbimet publike, që kanë në administrim objekte shtetërore.

Sipas parashikimeve të pikës 10 të kësaj VKM-je, të gjitha institucionet dhe subjektet publike të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, duhet t’i drejtohen me kërkesë shoqërisë “Illyrian Guard” Sh.a. për të marrë shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike. Pra me ligj, Dritan Leli dhe Bashkia Vlorë janë të detyruar që të përdorin këtë shoqëri në pronësi shtetërore për të ruajtur objektet në fjalë.

Mirëpo VKM-ja, si për ta ditur se politikanët duhet t’i fusin ca miliarda në xhep, ka parashikuar një pikë, përkatësisht pikën 11, sipas të cilës nëse shoqëria “Illyrian Guard” Sh.a. merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim duke u drejtuar në kompani të tjera private.

Dhe çuditërisht ka ndodhur pikërisht kështu. Bashkia Vlorë i ka kërkuar kësaj shoqërie për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike ndërkohë që kjo e fundit i është përgjigjur se nuk e merr përsipër ofrimin e këtij shërbimi deri në datë 10.09.2020. Në këto kushte Dritan Leli nuk ka pritur më gjatë dhe ka shpallur procedurën e prokurimit me referencë REF-59708-06-03-2020 dhe me objekt ”Ruajtja e objekteve të Bashkisë Vlorë” Marrëveshje Kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 36 muaj.

Normalisht ka garuar vetëm një operator dhe sigurisht ka fituar. Tenderi ka vlerën e rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “F.P.M” & ”ELEKTROSEK” shpk, me pronarë përkatësisht Barjam Ruka dhe Ilir Mane.

Mirëpo ndonëse shoqëria shtetërore “Illyrian Guard” Sh.a. deklaronte se nuk mund ta ofronte shërbimin deri në 10.09.2020, ky fakt nuk e ka penguar Dritan lelin që tenderin me fitues dy kompanitë e mësipërme, ta organizojë për plot 3 vjet. Ka lezet, apo jo?

/Burimi: JOQ Albania /Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit