Një operacion i Antimafias italiane, i koduar “Whisper”, ka çuar në arrestimin e 23 personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge mes Shqipërisë dhe Italisë. Hetimi i Drejtorisë Hetimore Antimafia të Leçes zbuloi dy grupe kriminale të dyshuara për trafikun e kokainës, heroinës dhe marijuanës, me aktivitet në disa zona italiane, përfshirë Leçen, Brindizin, Barin, Romën, Materën dhe Vibo Valentian.
Sipas hetuesve, një nga grupet kishte bazën në Oria dhe siguronte sasi të mëdha droge nga Shqipëria, duke përdorur edhe gra, të mitur dhe shtetas shqiptarë si korrierë në linjat e autobusëve mes dy vendeve. Hetimet, të zhvilluara nga viti 2022 deri në 2025, zbuluan gjithashtu dyshime për fshehje parash, përpunim droge në ambiente të ndryshme dhe monitorim të lëvizjeve të policisë përmes kamerave të instaluara pranë zonave strategjike.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 58 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë heroinë, marijuanë dhe kokainë, si dhe armë, materiale paketimi dhe laboratorë për përpunimin e drogës. Hetuesit kanë sekuestruar edhe dokumente që dyshohet se përmbajnë të dhëna financiare për transaksione të mëdha të drogës, ndërsa 21 persona përfunduan në burg dhe dy të tjerë në arrest shtëpie.