Dua Lipa fshin nga Instagrami fotot nga vila e saj në resortin oligarkik Kep Merli

Dua Lipa fshin nga Instagrami fotot nga…

Fotot që Dua Lipa kishte publikuar nga pushimet në resortin oligarkik Kep Merli në Ksamil nuk gjenden më në profilin e saj në Instagram. Dikur, këngëtarja e përshkruante këtë cep të jugut të Shqipërisë si “vendin më të bukur në botë”, ndërsa imazhet e saj u përdorën gjerësisht si reklamë për turizmin shqiptar. Sot, ato janë fshirë, megjithëse vazhdojnë të qarkullojnë në media dhe në profile të familjarëve të saj.

Arsyeja e këtij veprimi nuk dihet. Mund të jetë thjesht një riorganizim i profilit ose një zgjedhje estetike. Megjithatë, momenti kur ndodh kjo lë vend për diskutim.

Pak ditë më parë, Dua Lipa ishte e ftuar në një podcast, ku u trajtua tema e ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe protestave që kanë shoqëruar këtë debat. Është pozitive që një figurë me ndikim ndërkombëtar i kushton vëmendje çështjeve që prekin Shqipërinë. Por kjo ka sjellë edhe pyetje mbi koherencën e mesazhit të saj.

Kjo sepse vendi oligarkik ku ajo ka një vilë, vendi ku artistja ka kaluar pushimet së bashku me familjen, është vetë pjesë e një zone të mbrojtur. Kritikët pyesin nëse Dua Lipa është e vetëdijshme për debatet që kanë shoqëruar zhvillimin e kësaj zone dhe nëse modeli që sot kritikohet është i njëjti që ka ndryshuar edhe peizazhin ku ajo ka zgjedhur të pushojë.

Për vite me radhë, prania e saj në Kep Merli u kthye në një simbol promovimi për turizmin shqiptar dhe u përdor shpesh edhe në diskursin politik si dëshmi e atraktivitetit të vendit. Tashmë, në një kohë kur debati për ndërtimet në bregdet është më i fortë se kurrë, ato postime nuk ekzistojnë më në profilin e saj.

Askush nuk e vë në diskutim të drejtën e Dua Lipës për të investuar apo për të pushuar aty ku dëshiron. Por kur një personazh publik zgjedh të bëhet pjesë e debateve mbi zhvillimin, mjedisin dhe politikat publike, lind natyrshëm pritshmëria që mesazhet dhe veprimet të jenë në përputhje me njëra-tjetrën.

Në fund, pyetja nuk është pse një artiste fshin disa fotografi nga Instagrami. Pyetja është nëse qëndrimet publike mbeten të njëjtat edhe kur prekin vende apo projekte me të cilat ajo vetë ka qenë e lidhur.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit