Dumani kritikon partitë për denoncimet zgjedhore: “Referime të paplota dhe të pasakta”

Dumani kritikon partitë për denoncimet zgjedhore: “Referime…

Zyrtarë të lartë kërkojnë ndryshime të qarta në sistemin zgjedhor dhe më shumë përgjegjësi për krimet elektorale

Në Tiranë po zhvillohet një takim i nivelit të lartë me temën “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”. Pjesë e diskutimit janë emra kyç të institucioneve që kanë rol direkt në zgjedhje dhe ndjekjen penale të krimeve që lidhen me to.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, kreu i SPAK Altin Dumani, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nick Abbott dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda ndodhen mes pjesëmarrësve që po diskutojnë për problematikat dhe rrugët e mundshme drejt një reforme më funksionale.

Në fjalën e tij, Altin Dumani theksoi se referimet e partive politike për krime zgjedhore shpesh janë të paplota dhe të pasakta, duke e vështirësuar ndjekjen penale të shkeljeve. Ai shtoi se deri tani SPAK ka marrë 192 materiale që lidhen me krime zgjedhore, por jo të gjitha kanë pasur bazë të qartë ligjore për hetim.

“Kallëzimet e partive politike janë të paplota dhe të pasakta. Kemi pasur bashkëpunim me institucionet zgjedhore. Na kanë ardhur 192 materiale për krime zgjedhore.”

Dumani vuri në dukje edhe nevojën për një bashkëpunim më efikas mes institucioneve përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve dhe organeve të drejtësisë, duke shtuar se lufta kundër manipulimit elektoral nuk mund të mbështetet vetëm tek prokuroria apo gjykatat.

“Janë ushtruar disa kontrolle në banesa, zyra dhe ambiente të tjera. Janë sekuestruar prova të rëndësishme. Por sfidat nuk mungojnë. Kallëzimet e depozituara nga partitë politike në SPAK kanë qenë të paplota dhe të pamjaftueshme për të ndërtuar një hetim të plotë,” u shpreh Dumani.

Gjatë diskutimeve u vu në dukje se pa një reformë të thelluar dhe konsensus të gjerë politik, sistemet zgjedhore mbeten të cenueshme nga ndërhyrje që dëmtojnë besimin e publikut në rezultatet e votës.

Ambasadori Abbott theksoi rëndësinë që ka për Britaninë e Madhe mbështetja për një proces të ndershëm zgjedhor në Shqipëri, duke u ndalur në nevojën për transparencë dhe ndëshkueshmëri për shkelësit.

Nga ana tjetër, prania e drejtorit të Policisë nuk kaloi pa vërejtje, për shkak të mungesës së analizës konkrete mbi rolin e këtij institucioni në ndalimin e krimeve zgjedhore dhe mungesën e rezultateve të prekshme në terren.

Eventi synon të hapë një debat më të gjerë institucional dhe politik për të ndërtuar themele më të forta demokratike, larg fasadave dhe deklaratave formale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit