Banorët e një pallati në Lagjen nr. 5 të Durrësit, në rrugën “Hysen Myshketa”, po përballen me një situatë të rëndë mjedisore dhe infrastrukturore, që përbën rrezik të madh për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Sipas një denoncimi të ardhur në redaksinë tonë, pusetat e hapura para hyrjes së pallatit lëshojnë erë të rëndë, e cila bëhet e padurueshme gjatë verës dhe nuk përmirësohet as në dimër. Përveç kësaj, në rast shiu, ato tejmbushen dhe shkaktojnë përmbytje në trotuar dhe në hyrjen e pallatit. Banorët shprehen se, pavarësisht ankesave të përsëritura në institucionet përkatëse, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

“Është një situatë katastrofike. Nuk mund të hyjmë në pallat nga pusetat e hapura që kundërmojnë erë të rëndë dhe mbushen me ujë. Akoma më shqetësues është fakti se rindërtimi është bërë vetëm në letra, sepse fizikisht nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Minjtë na janë bërë banorë të pallatit nga papastërtia, dhe kemi frikë nga ndonjë epidemi,” – shprehen të shqetësuar banorët.

Ata theksojnë se janë sorollatur mes institucioneve, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. Ankesat janë bërë pranë Bashkisë Durrës, Komunës së Lagjes nr. 5 dhe ndërmarrjes së ujësjellësit, por deri më tani problemi vazhdon të jetë i pazgjidhur.

Situata bëhet edhe më e rëndë në garazhin e pallatit, i cili është i përmbytur gjatë gjithë kohës, jo vetëm kur bie shi. Për shkak të gjendjes së rënduar, banorët nuk kanë mundur as të bëjnë foto të plota të dëmit.
Përballë kësaj neglizhence institucionale, ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke shpresuar që ky denoncim publik do të shërbejë si një thirrje për autoritetet përgjegjëse.