Në lagjen 18 në Durrës, mbrapa KMY-së pranë stadiumit, banorët po përballen prej më shumë se dy muajsh me një situatë problematike që sipas tyre ende nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.
Sipas denoncimit të qytetarëve, një tub uji është çarë dhe prej javësh uji rrjedh vazhdimisht në rrugë, ndërsa ndërhyrja nga ujësjellësi mungon. Banorët shprehen se problemi po përkeqësohet dita-ditës, pasi përveç humbjes së ujit, ka nisur të dëmtohet edhe asfalti i zonës.
Pamjet tregojnë se sipërfaqja e rrugës ka filluar të çahet, duke krijuar shqetësim për banorët dhe drejtuesit e automjeteve që kalojnë çdo ditë në këtë segment.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë nga institucionet përkatëse për riparimin e tubacionit dhe rehabilitimin e rrugës, para se situata të përkeqësohet edhe më shumë.