Dy ditë pa kontakt, një zhdukje misterioze apo lojë për t'i shpëtuar policisë: Ku është Inez Hajrulla?

Dy ditë pa kontakt, një zhdukje misterioze…

Një mister që shton pikëpyetjet rreth fatit të Inez Hajrullës, të shumëkërkuarit të SPAK-ut, ka vënë në lëvizje edhe policinë e Vlorës. Prej dy ditësh, ai nuk ka komunikuar me të atin, Robert Hajrulla, ndërsa miqtë e tij të afërt pretendojnë se kanë humbur çdo kontakt me të, duke ngritur dyshime për atë që mund të ketë ndodhur.

Sipas deklarimit të të atit para policisë, mungesa e komunikimit për dy ditë nuk përbën domosdoshmërisht një arsye për alarm, pasi, për shkak se i biri është në kërkim ndërkombëtar, nuk ndodh që të flasin çdo ditë. Ai beson se Inez Hajrulla ndodhet jashtë vendit dhe ka bërë të ditur se do t’i drejtohet policisë për humbjen e kontakteve vetëm nëse kalojnë 72 orë pa marrë asnjë telefonatë apo sinjal prej tij.

Por ajo që e bën këtë histori edhe më të mistershme është dëshmia e rrethit të tij të afërt. Sipas tyre, Hajrulla ndodhej në Tiranë, ku dyshohet se është marrë nga persona të veshur me jelekë të ngjashëm me ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Miqtë e tij janë përpjekur të mësojnë se në cilin komisariat mund të ishte dërguar, por kanë marrë përgjigjen se ai nuk rezultonte i arrestuar.

Dhe pikërisht këtu nis misteri: nëse Inez Hajrulla është marrë nga persona që janë paraqitur si agjentë të BKH-së, ku është dërguar më pas? Apo kemi të bëjmë me një skenar krejt tjetër, që ende nuk është zbardhur?

Dyshimet mbeten të hapura. A mund të jetë fjala për një rrëmbim të mundshëm nga kundërshtarët e tij, me të cilët raportohet se ka pasur përplasje të forta, apo Hajrulla ka zgjedhur të zhduket nga qarkullimi për të shmangur kapjen nga policia? Deri më tani, nuk ka një përgjigje përfundimtare dhe asnjëra prej këtyre pistave nuk mund të konsiderohet e provuar.

Policia ka nisur verifikimet për të hedhur dritë mbi rastin, ndërsa emri i Inez Hajrullës është prej vitesh i lidhur me hetimet për krimin e organizuar në Vlorë. Ai është në kërkim me urdhër të SPAK-ut për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal. Pas vrasjes së Edison Harizajt, i njohur si Edison Faqedjeguri, në vitin 2018, Hajrulla dyshohet se mori drejtimin e grupit kriminal.

Përplasjet me grupe të tjera kriminale në Vlorë dhe aksionet e dështuara për kapjen e tij e bëjnë edhe më të ndërlikuar këtë histori.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit