"Dy djemtë më vodhën çantën te Sky Club, dua vetëm dokumentet e shtatzënisë"

“Dy djemtë më vodhën çantën te Sky…

Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania me një denoncim për një vjedhje të pretenduar që, sipas tij, ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në ambientet e Sky Club, te Tringu.

Ai pretendon se dy persona i kanë marrë çantën, brenda së cilës ndodheshin sende personale dhe portofoli me dokumente.

Por ajo që e shqetëson më shumë nuk janë paratë apo kartat bankare, të cilat thotë se tashmë i ka bllokuar, por disa dokumente të lidhura me shtatzëninë, të cilat sipas tij ndodhen në një kartë dhe janë të rëndësishme për të ndjekur ecurinë e shtatzënisë.

“Më intereson vetëm portofoli me dokumentet. Janë disa dokumente vendimtare për shtatzëninë”, shprehet qytetari, duke kërkuar që personat që e kanë marrë çantën t’ia kthejnë dokumentet.

Ai pranon se çanta mund të jetë harruar nga pakujdesia, por thekson se, sipas tij, personat nuk e kanë gjetur rastësisht në rrugë, por e kanë marrë dhe e kanë futur brenda një çante tjetër.

Qytetari thotë se po përgatitet të ndjekë edhe rrugën ligjore dhe se denoncimi pranë organeve kompetente pritet të bëhet.

Apeli i tij është i drejtpërdrejtë: nëse çanta është marrë nga dikush, të paktën dokumentet e shtatzënisë të kthehen, pasi për të ato kanë një rëndësi që nuk zëvendësohet thjesht duke nxjerrë përsëri një kartë identiteti apo patentë.

Nëse dikush i ka gjetur apo ka informacion për çantën dhe dokumentet, qytetari kërkon që t’i dorëzohen, përpara se çështja të ndiqet në rrugë ligjore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit