Dy kallëzime për abuzime me të pastrehët, Xhelal Mziu sërish nën hetim nga Prokuroria

Dy kallëzime për abuzime me të pastrehët,…

I konsideruar si kryebashkiaku “qëndrestar” i opozitës, pasi bashkë me bashkinë e Shkodrës ishin dy bastione të mëdha të Partisë Demokratike në vend, duket se Xhelal Mziu, tashmë që është një ish-kryebashkiak e ka punën pisk.

Prokuroria dhe organe të tjera kanë nisur hetimet mbi aktivitetin e tij, si dhe mbi mënyrën e dhënies së shumë leje të ndërtimit dhe zhvillimit në Kamëz, të cilat edhe pse me probleme, mbajnë përsipër firmën e Mziut.

Është ky i fundit që në kohën kur drejtonte bashkinë e Kamzës, mendohet se ka pasur “dorë të lirë” në lejet e ndërtimit aty, por tani çdo gjë po i rrotullohet në të kundërt.

Ish-kryebashkiaku Mziu, që tashmë është vendosur sërish nën lupën e drejtësisë, duket se ka abuzuar edhe me objektet që duhet të ndërtoheshin për të pastrehët dhe të varfërit në këtë bashki.

“Gazetaatdheu.com” ka mësuar këto ditë se Prokuroria kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet pikërisht për veprimtarinë e Xhelal Mziut, në kohën kur ai ishte në detyrë.

Dosja e tij, sipas burimeve të Prokurorisë, po verifikohet nga dy prokurorët Sotir Kllapi dhe Klodian Braho, për shpërdorim detyre dhe çështje korrupsioni, pas dy kallëzimeve të veçuara të bazuar mbi raport-auditin për strehimin social.

Burimet bëjnë të ditur për “Gazetaatdheu.com” se në dosjen e parë, Mziu dyshohet të ketë favorizuar subjekte private, që janë pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi, duke mos i detyruar të kalojnë 3% të sipërfaqes funksionale për banesa sociale në favor të Bashkisë.

Siç dyshohet më tej, ish-kryetari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj subjekteve, duke shkaktuar dëm bashkisë për fondin e banesave sociale. Në kallëzim sipas burimeve, theksohet si dëm paraprak shuma prej mbi 22 milionë lekësh.

Pasojat e shkaktuara sipas verifikimeve të kryera paraprakisht lidhen jo vetëm me interesat e bashkisë, por edhe të personave që duhet të strehoheshin në banesat sociale.

Dosja tjetër ndaj Mziut, lidhet me linjat e transportit të udhëtarëve dhe lincecimin e tyre, pa pasur në dosje një kontratë, ndërsa mungojnë edhe dokumente të rëndësishëm që duhet të lëshoheshin nga autoriteti i lincencimit.

Xhelal Mziu gjatë kohës që mbante drejtimin e bashkisë së Kamzës u hetua nga Prokuroria e Tiranës e më pas përfundoi nën arrest për dyshimet e pabarazisë në tendera.

Por ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi me dy vjet burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, apeli e hodhi poshtë këtë vendim dhe e konsideroi të pafajshëm./Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit