Floresha Prengu, 35 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e zhdukur pa gjurmë më 22 tetor të këtij viti në Itali, vijon të jetë në kërkim nga autoritetet italiane. Edhe pse kanë kaluar rreth dy muaj nga zhdukja e saj, ende nuk ka asnjë informacion të besueshëm mbi vendndodhjen e saj.
Sipas mediave të huaja, Prengu është parë për herë të fundit në qendër të qytetit të Trentos. Që prej atij momenti, çdo përpjekje për të gjurmuar lëvizjet e saj ka rezultuar pa sukses, duke shtuar ankthin dhe pasigurinë për familjarët.
Të afërmit e saj i kanë bërë thirrje autoriteteve që të intensifikojnë kërkimet, duke kërkuar përfshirjen e ekipeve të specializuara, vëzhguesve, forcave të policisë, skuadrave fluviale, ekipeve të shpëtimit si edhe përdorimin e qenve molekularë. Operacionet e kërkimit janë shtrirë edhe jashtë provincës së Trentos, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e 35-vjeçares.
Familja, përfshirë bashkëshortin dhe të afërmit e saj, vijon të bëjë apele publike për ndihmë, duke kërkuar çdo informacion që mund të çojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ata theksojnë se Floresha është një person i qetë, e lidhur fort me familjen dhe fëmijët e saj, dhe se zhdukja e saj vullnetare është e paimagjinueshme.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet, ndërsa familjarët shpresojnë që çdo detaj i ri të ndihmojë në gjetjen e saj sa më parë.