Dy pistoleta, shishe të hapura bire, bidona uji, pije energjike, një jelek antiplumb, paketa bosh dhe mbetje droge! Këto janë gjerat që u gjetën në tavolinën e apartamentit ku ishte mbyllur ditën e djeshme 21-vjeçarja Sajma Qordja, e cila alarmoi policinë se ishte marrë peng nga disa persona.
Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim 5 persona. Mes tyre S. S., 29-vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë, A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë dhe i të dashurit të Sajmas, Joni Sadikaj 26-vjeç nga Tepelena.
Ndaj të gjithë këtyre personave, rëndojnë akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë” e kryer më bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Policia thotë për këta shtetas, se dyshohen që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë mbajtur të mbyllur vajzën e re në apartamentin që ishte marrë me qira ditore në zonën e Astirit në Tiranë.
Gjatë ditës së djeshme, vajza nuk ka pranuar t’i hapë derën policisë, e për këtë arsye u desh ndërhyrja e forcave RENEA. Teksa është marrë në pyetje pasi është qetësuar, 21-vjeçarja ka deklaruar se nuk është dhunuar nga djemtë, madje ka shkuar vetë me dëshirën e saj në banesën e marrë me qira.
Ky është një version ndryshe që vajza ka mbajtur në krahasim me momentin kur njoftoi policinë dhe familjarët, që disa persona po e dhunonin në apartament. Hetimet pritet të zbardhin më shumë, teksa Joni Sadikaj i dashuri i Sajmas është një emër i njohur për policinë, i arrestuar më parë për trafik narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.