Dy raste prostitucioni në Tiranë, arrestohen tre shtetase të huaja

Dy raste prostitucioni në Tiranë, arrestohen tre…

Dy raste të dyshuara të ushtrimit të prostitucionit në Tiranë janë goditur nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Last post”. Në pranga kanë rënë tre shtetase të huaja, dy braziliane, 46 dhe 21 vjeçe, si dhe një 23-vjeçare nga Kolumbia. Sipas Policisë, 46-vjeçarja dyshohet se shfrytëzonte 21-vjeçaren për ushtrimin e prostitucionit në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”.

Gjatë kontrollit në apartament, uniformat blu sekuestruan gjashtë telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për reklamimin e veprimtarisë në rrjetet sociale. Ndërkohë, në rastin tjetër, 23-vjeçarja kolumbiane dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, ku ushtronte prostitucion. Të dyja rastet u zbuluan pas verifikimeve dhe punës operative të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.

Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale do të vijojnë si në terren, ashtu edhe në hapësirën digjitale. Materialet procedurale për tre shtetaset janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit