Dy shpërthime me lëndë plasëse janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Ksamil dhe Fier, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa raportime për persona të lënduar.
Ngjarja e parë është shënuar në Ksamil, rreth orës 02:45, ku dyshohet se një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur në oborrin e banesës së një 76-vjeçari, me inicialet I. A. Si pasojë, janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Ndërsa rasti i dytë është regjistruar në Fier, rreth orës 04:15, ku dyshohet se është përdorur tritol në drejtim të një lokali. Pronari i biznesit, një 44-vjeçar me inicialet R. M., ka njoftuar Policinë pasi ka konstatuar dëmtime në fasadën e lokalit.
Në të dyja rastet, grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve.