Dy shqiptarë në pranga, banda grabiti 22 vila luksoze në Mallorca! Dëmi mbi 2 milionë euro

Dy shqiptarë në pranga, banda grabiti 22…

Dy shtetas shqiptarë kanë përfunduar para drejtësisë në Spanjë, pasi akuzohen si pjesë e një organizate kriminale që dyshohet se ka kryer 22 grabitje në vila luksoze në ishullin e Mallorca-s, duke shkaktuar një dëm që sipas autoriteteve i kalon 2 milionë eurot.

Operacioni, i koduar “Congre”, u zhvillua më 15 korrik nga Guardia Civil, e cila kreu kontrolle në dy banesa në Cala Major dhe Santa Eugènia, ku u arrestuan dy shqiptarët.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një sasi të madhe sendesh të vjedhura, para cash, dylbi, mjete për thyerje, karta SIM dhe pajisje të tjera që, sipas hetuesve, do të përdoreshin për grabitje të tjera.

Sipas autoriteteve spanjolle, grupi kriminal përbëhej nga tetë anëtarë, të cilët vepronin kryesisht në zonat më elitare të Mallorca-s, si Puerto de Andratx, Badia Gran, Costa d’en Blanes dhe Bendinat, duke vënë në shënjestër vila dhe rezidenca luksoze.

Hetimet kanë zbuluar se autorët hynin në banesa duke shpuar dyert ose duke thyer dritaret. Më pas, sendet e vjedhura fshiheshin në strehime të improvizuara në zona malore, derisa organizata gjente mënyrën për t’i transportuar. Për të shmangur identifikimin, anëtarët e grupit përdornin identitete të shumta dhe dokumente të falsifikuara.

Dy shqiptarët përballen me akuzat për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje me thyerje në banesa të banuara dhe falsifikim dokumentesh.

Ndërkohë, hetimet vijojnë dhe autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se do të kërkojnë urdhra arresti evropianë për gjashtë anëtarët e tjerë të organizatës, të cilët dyshohet se ndodhen në vende të ndryshme të Evropës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit