Dy të vërtetat e Teatrit: Mbështetja nga BE dhe ndërkombëtarët nuk “lëkund” planet e qeverisë për shembje…

Dy të vërtetat e Teatrit: Mbështetja nga…

Në mars të vitit 2020, Teatri Kombëtar u përfshi zyrtarisht në listën e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Evropë, nga organizata Europa Nostra.

Përfshirja në këtë listë erdhi si një iniciativë e aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të cilët prej dy vitesh protestojnë në mënyrë të vazhdueshme për vlerat kulturore të objektit dhe zonës përreth.

Kjo periudhë përkoi me përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri, që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës të qytetarëve duke limituar disa liri themelore si lëvizja apo grumbullimet.

Sheshi i teatrit, i cili prej një viti ishte shndërruar në një odë ligjërimesh të përditshme për shqetësime të sferës publike, qytetare dhe kombëtare, është boshatisur për shkak të pandemisë, por nuk është lënë asnjëherë bosh.

“Që ditën që u shpall pandemia në Shqipëri, ne riformatuam protestën tonë, duke vendosur një rregullore të brendshme, ku në teatër mund të rrinin një, maksimumi dy veta brenda ambienteve të mbyllura. Kemi vazhduar live-in si çdo natë, jo më me shumë folësa por vetëm me një folës. Jo vetëm për të folur për çështje që shqetësojnë Teatrin Kombëtar, por edhe për çështjet, ashtu si kemi bërë gjithmonë, edhe për çështjet që shqetësojnë Shqipërinë dhe kohët e fundit gjatë pandemisë nuk është se kemi pasur pak probleme të mëdha, sidomos për sa i përket masave që mori Qeveria në lidhej me pandeminë, të cilat rezultuan që ishin masa totalisht propagandistike dhe aspak masa që i shërbenin shëndetit të njerëzve,”– tregon për Citizens Channel Robert Budina, një prej aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Përpos grumbullimeve fizike në shesh, ajo çka e lidh këtë komunitet sipas aktivistit Gentian Gaba është ana shpirtërore e cila sipas tij nuk shuhet as në rast pandemie.

“Pjesa shpirtërore, e cila nuk shuhet edhe në kohë pandemie, sipas meje buron nga fakti që tashmë ka lindur një komunitet, i cili prej më shumë se dy vitesh lufton dhe sakrifikon për diçka që tejkalon interesat e secilit prej përbërësve të tij, dhe që tashmë ka një vetëdije të plotë për vlerën që ka kjo qëndresë. Jo vetëm në raport me mbrojtjen e godinës historike, por edhe për rolin dhe përgjegjësitë e qytetarit përballë një pushteti arbitrar”,– rrëfen Gentiani.

Për aktivistin  Ervin Goci, gjatë këtyre dy muajve të pandemisë vihet re një tendencë e shtuar e shtetit për të hyrë në hapësira që u përkasin qytetarëve.

Ervin Goci, aktivist Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

“Në asnjë moment për më shumë se dy vite me angazhimin tonë për mbrotjen e Teatrit Kombëtar nuk kemi cenuar sigurinë publike, përveçse jemi cenuar nga shteti për të ushtruar një të drejtë kushtetuese, siç është protesta. Rezistenca për Teatrin nuk ka filluar këto ditë, por është një kauzë e ngritur në dy vite dhe në këto dy vite ka marrë shumë forma dhe kahje, sigurisht duke ruajtur fokusin te qëllimi themeltar – shpëtimi i Teatrit Kombëtar dhe atij Kombëtar Eksperimental nga shembja”,– shprehet aktivisti Goci.

Teatri Kombëtar tashmë me mbështetje ndërkombëtare

Më 29 prill të vitit 2020, Europa Nostra shpërndau një video ku Teatri Kombëtar prezantohej si një qendër  mjaft të rëndësishme kulturore dhe sociale në Tiranë.

“Teatri Kombëtar i Shqipërisë është një nga 7 vendet më të rrezikuara në Evropë për vitin 2020. Ndërtesa moderniste e viteve ’30 është një qendër e rëndësishme kulturore dhe hapësirë sociale në Tiranë. Pavarësisht protestave të rregullta popullore dhe shqetësimeve të ekspertëve, autorietet lokale janë të vendosur për ta prishur ndërtesën dhe për ta zëvendësuar më një të re”, thuhet në përshkrimin e video-mesazhit.

Teatri Kombëtar, nga shembja tek restaurimi

Për aktivistin Budina, puna e kryer nga Alenca Për mbrojtjen e Teatrit ka qenë e jashtëzakonshme.

“Ju kujtojmë këtu se ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, dy vjecare që në kthimin e ligjit para dy vjetësh, kemi sensibilizuar opozitën, kemi hartuar dokumenta pafund, kemi çuar kritikat tona në Bashkimin Evropian përsa i përket ligjit special që bëri Qeveria Shqiptare dhe deri sa mbërritëm që Teatri Kombëtar të përzgjidhej në 7 vendodhjet më të rrezikuara të Evropës”,-rrëfen ai më tej.

Sipas aktivistit Gentian Gaba vendimi për të shkatërruar një momument pas statusit të dhënë nga Europa Nostra, do të ishte aspak i lavdishëm.

“Të mos harrojmë se Europa Nostra mbështetet nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, vepron në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve, dhe nëpërmjet programit ‘Creative Europe’, do të jetë në gjendje të gjenerojnë fonde, lobim dhe mbështetje për restaurimin e Teatrit. Ekspertët e trashëgimisë dhe ata financiarë të EN dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve do të mbërrijnë në Tiranë sapo COVID-19 të mos jetë një pengesë për udhëtimet. Nga ai moment, qeveria nuk do të ketë përballë vetëm qytetarët që kërkojnë restaurimin e godinës, por edhe një dërgatë që vjen me bekimin dhe fondet e BE-së, për t’i dhënë një jetë të re Teatrit Kombëtar“,-tregon Gaba për Citizens Channel.

Pak ditë më parë edhe një tjetër zë i rëndësishëm evropian, Mariya Gabriel, Komisioneria Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë, u rreshtua pro kauzës së mbrojtjes së teatrit

Me anë të një postimi në Twitter të fotos me 7 destinacionet kulturore më të rrezikuara në botë për vitin 2020, Gabriel shkruan:

“Trashëgimia jonë kulturore na ndihmon të kuptojmë historinë dhe vendin në botë. Në kohë të vështira si këto, ajo ç’ka është më e rëndësishme, është mbrojtja e tyre. Unë e mbështes plotësisht iniciativën #7vendetmëtërrezikuara, që vë në dukje vendet e trashëgimisë në rrezik”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit