Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar situatën e një ure që duhet të lidhë Rrugën e 5 Majit me Unazën e Madhe, në kuadër të projektit të Unazës Veriore të Tiranës.
Në fotot e dërguara në redaksi shihen këmbët dhe strukturat mbështetëse prej betoni të urës, ndërsa pjesa tjetër e veprës mbetet e papërfunduar.
Sipas denoncuesit, punimet kanë mbetur të ndaluara prej rreth dy vitesh, ndërsa kjo lidhje rrugore ende nuk është bërë funksionale.
“Është ura që duhet të lidhte Rrugën e 5 Majit me Unazën e Madhe. Që kur filluan lotet e Unazës Veriore, atëherë janë bërë edhe këmbët e urës. Projekti duhet të kishte mbaruar që me mbylljen e Unazës Veriore.”
Pretendimi për ndërtimin e kësaj ure konfirmohet edhe nga dokumentacioni teknik i projektit, ku parashikohet një urë mbi lumin e Tiranës në vazhdim të Rrugës “5 Maji”.
Ndërkohë, Unaza e Madhe e Tiranës u hap për qarkullim në fund të vitit 2024, por lidhja direkte me zonën e Rrugës së 5 Majit përmes kësaj ure vijon të mos jetë funksionale.
Mungesa e kësaj lidhjeje detyron drejtuesit e mjeteve të përdorin akse alternative për të kaluar nga zona e 5 Majit drejt Unazës së Madhe, ndërsa përfundimi i urës do të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë mes dy akseve të rëndësishme të kryeqytetit.
JOQ Albania nuk ka gjetur një njoftim zyrtar që konfirmon se punimet janë ndalur saktësisht prej dy vitesh apo një afat përfundimtar të përcaktuar për këtë vepër. Ky është një pretendim i qytetarit dhe mbetet për t’u sqaruar nga institucionet përgjegjëse.
Qytetari kërkon që autoritetet të bëjnë transparente arsyet e vonesës dhe të tregojnë se kur pritet të përfundojë ura.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e qytetarit, ndërsa pret një reagim nga institucionet përgjegjëse për ecurinë dhe afatin e përfundimit të projektit.