Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një vajze dhe vëllait të saj të mitur, arrestohet oficeri i Policisë

Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një vajze…

Një punonjës i Policisë është ndaluar në Klos nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të përsëritur dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një vajze, si edhe dhunë psikologjike ndaj vëllait të saj të mitur.

Sipas AMP-së, oficeri, me detyrë në Stacionin e Policisë Klos, është ndaluar në kuadër të një hetimi për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për vijimin e hetimeve.

“Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka kryer ndalimin e punonjësit të Policisë, Inspektor “A.P.”, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Seksionin e Rendit Publik, në Stacionin e Policisë Klos, Komisariati i Policisë Mat, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Ndalimi i tij u krye në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Sipas kallëzimit, punonjësi i Policisë dyshohet se, në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses. Gjithashtu, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të mitur të kallëzueses.

Pas veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për vijimin e hetimeve dhe procedurave të mëtejshme ligjore”, njofton policia.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit