
Qytetarët po përballen me probleme serioze në përdorimin e platformave digjitale shtetërore, përfshirë SelfCare për fiskalizimin dhe e-Albania, të cilat prej ditësh rezultojnë jashtë funksioni.
Mungesa e aksesit në këto sisteme po pengon përditshmërinë e bizneseve dhe qytetarëve, ndërkohë që institucionet përgjegjëse heshtin dhe nuk ofrojnë asnjë kanale komunikimi funksionale për ankimim apo informacion.
“Kam gjithë ditën që përpiqem të shkarkoj faturat nga SelfCare dhe nuk funksionon. Kam provuar për tre ditë rresht. As telefonat nuk funksionojnë, i kanë bllokuar thirrjet hyrëse. Nuk dimë më ku të ankohemi”, denoncon një qytetare.
Një tjetër qytetar ngre shqetësimin për platformën e-Albania:
“Kam një javë që përpiqem të kontrolloj gjobat e makinës dhe të marr një certifikatë. Platforma nuk punon dhe del vazhdimisht mesazhi ‘shërbimi nuk ofrohet’. Është bllokuar totalisht.”
Problemet teknike të vazhdueshme në këto sisteme, të cilat janë promovuar si themel i digjitalizimit të administratës publike, po sjellin kaos dhe vonesa të pajustifikueshme në marrjen e shërbimeve bazë, si faturat fiskale, gjobat apo dokumentet zyrtare.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe rikthimin e funksionalitetit të platformave. Mbi të gjitha, ata kërkojnë transparencë dhe komunikim zyrtar mbi arsyet e ndërprerjeve dhe afatet e rikuperimit të shërbimeve.