E ëma vuan nga epilepsia, qytetarja denoncon mungesën e ilaçit bazik në farmaci

E ëma vuan nga epilepsia, qytetarja denoncon…

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e ilaçit Dintoina, të cilin nëna e saj, që vuan nga epilepsia prej më shumë se 30 vitesh, e përdor për trajtimin e sëmundjes.

Në një video të dërguar në redaksi, ajo tregon se prej kohësh po përballet me vështirësi për të siguruar këtë medikament, pasi në farmaci i është thënë se është në mungesë. Sipas saj, edhe kërkimet në farmaci të tjera, përfshirë ato jashtë qytetit ku jeton, nuk kanë dhënë rezultat.

Përveç mungesës, qytetarja ngre shqetësimin edhe për çmimin. Ajo thotë se më parë një kuti me 30 tableta kushtonte rreth 200 lekë të rinj, ndërsa në ato pak farmaci ku ka mundur ta gjejë, i është ofruar për 900 deri në 1,000 lekë të rinj. Meqë familjes i nevojiten dy ose tri kuti në muaj, kjo kosto përbën një barrë të konsiderueshme ekonomike.

“Jo vetëm çmimin, por tani nuk po arrijmë ta gjejmë në asnjë farmaci në Shqipëri”, shprehet qytetarja, e cila i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa për të siguruar furnizimin me këtë medikament dhe për të shmangur çmimet e papërballueshme për pacientët që kanë nevojë për të.

Rasti ngre shqetësime për aksesin e pacientëve te barnat që u nevojiten për trajtimin e sëmundjeve kronike. Në një raport të publikuar në shkurt 2026, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi problematika edhe me barin Dintoina, i cili ishte përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2024 pa një çmim CIF të miratuar për atë vit. Sipas auditimit, për të ishte aplikuar një çmim rimbursimi më i lartë se ai i miratuar zyrtarisht.

Megjithatë, ky konstatim lidhet me çmimin e rimbursimit dhe nuk konfirmon vetvetiu shkakun e mungesës aktuale të ilaçit në farmaci.

Qytetarja kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që nëna e saj dhe pacientët e tjerë që përdorin këtë medikament të mos përballen as me mungesën e tij, as me çmime që ua vështirësojnë sigurimin e trajtimit.

<iframe width=”870″ height=”579″ src=”https://www.youtube.com/embed/-GWXTvqDGSI” title=”E ëma vuan nga epilepsia, qytetarja denoncon mungesën e ilaçit bazik në farmaci” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit