
Trupi i Ardit Beshirit vijon të jetë ende nën inertet e kromit në zonën e Qafë-Burrelit në Mat, prej mesditës së të shtunës së 3 majit.
Sot bëhen 6 ditë që kur Arditi humbi kontaktet me familjarët e tij, dhe pësoi aksidentin e rëndë, ku një rezervuar me ujë shpërtheu, dhe stoku i materialeve të përpunuara të kromit e zuri poshtë bashkë me eskavatorin e tij.
Kërkimet kanë vijuar pa sukses për gjetjen e 29-vjeçarit, teksa shpresat për ta gjetur atë të gjallë janë zëruar. Deri më tani janë gjetur vetëm pjesë metalike të eskavatorit, teksa kërkimet në ditët e para kanë qenë shumë të avashta dhe me mjete rrethanore.
Një ditë më parë grupit të kërkimit iu bashkua dhe një ekip i Forcave të Sigurisë së Kosovës, teksa babai i Arditit, Nerim Beshiri nuk i ka ndalur thirrjet ndaj institucioneve që të reagojnë dhe të dërgojnë pajisje të sofistikuara për kërkim me rreze nën tokë.
“Kërkoj ndihmë nga shteti Shqiptar. Të shkojë në Turqi të kërkojë pajisje ose në Serbi te hasmi im. Edhe unë e kam ndihmuar turkun para ca kohësh kur i ndodhi ngjarja si shtet. Të më ndihmojnë me aparatura të gjej djalin, edhe një gisht të më gjejnë ta çoj te nëna e tij ta qajë e t’i vendosë një tufë lule!”, tha dje ai.
Masivi i dheut të shembur shtrihet në një hapësirë disa kilometër përgjatë një lugine poshtë minierës ku punonte Arditi, çka e bën më të vështirë lokalizimin dhe gjetjen e tij.