"E kam mjet pune", qytetari denoncon zvarritjet për marrjen e skuterit të sekuestruar nga policia

“E kam mjet pune”, qytetari denoncon zvarritjet…

Prej javësh, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të shumta nga qytetarë të cilëve u janë sekuestruar skuterët nga Policia e Shtetit dhe që, sipas tyre, po përballen me vonesa të pajustifikuara për t’i marrë sërish në dorëzim, edhe pasi ka kaluar afati që u ishte komunikuar.

Një prej tyre tregon se skuteri i është sekuestruar më 15 maj 2026 dhe në momentin e bllokimit është informuar se do të mund ta tërhiqte pas një muaji. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar rreth dy muaj, ai thotë se ende nuk ka mundur ta marrë mjetin.

Qytetari shprehet se skuteri është mjeti i tij i përditshëm i punës, të cilin e përdor për të lëvizur më shpejt në Tiranë dhe për të shmangur trafikun e rënduar. Sipas tij, vonesa prej dy muajsh për t’ia kthyer mjetin i ka krijuar vështirësi të vazhdueshme në kryerjen e aktivitetit të përditshëm.

Ai thotë se është paraqitur katër herë pranë institucioneve përkatëse për të kërkuar kthimin e skuterit, por çdo herë ka marrë përgjigje të ndryshme.

Sipas denoncuesit, fillimisht i është thënë se skuterët duhet të grumbullohen në komisariatet përkatëse dhe më pas të transportohen në Policinë Rrugore. Më pas, kur është paraqitur në Komisariatin nr. 1, është informuar se karrotreci që duhet të kryejë transportin nuk i përgjigjet telefonit, çka sipas tij ka bllokuar të gjithë procesin.

Përveç zvarritjeve, qytetari ngre shqetësimin se skuterët po mbahen të ekspozuar në diell prej javësh, duke rrezikuar të pësojnë dëmtime për shkak të kushteve atmosferike.

Ky është mesazhi i tij i plotë:

“Përshëndetje JOQ! Policia e Shtetit ma sekuestroi skuterin në datën 15.05.2026, duke më thënë se pas një muaji do ta merrja përsëri. Kam shkuar katër herë për ta marrë, por më është thënë se duhet të mblidhen sa më shumë skuterë në komisariatet përkatëse dhe më pas të kalojnë te Rrugorja. Kur shkova te Komisariati nr. 1, më thanë se karrotreci nuk i përgjigjet telefonit për të marrë skuterët dhe për t’i çuar te Rrugorja. Kam dy muaj që zvarritem me këtë muhabet. Për më tepër, i mbajnë të gjithë skuterët në diell dhe ka rrezik të jenë dëmtuar. Ju lutem, bëjeni problem.”

Duke qenë se në redaksinë tonë kanë mbërritur edhe ankesa të tjera me të njëjtën problematikë, qytetarët kërkojnë një reagim nga Policia e Shtetit për të sqaruar arsyet e këtyre vonesave, procedurën që ndiqet për transferimin e mjeteve të sekuestruara, si dhe afatet konkrete brenda të cilave ato duhet t’u kthehen pronarëve, në rastet kur procedurat ligjore kanë përfunduar.

Për shumë prej tyre, skuteri nuk është thjesht një mjet transporti, por një mjet pune, ndaj çdo ditë vonesë sjell pasoja në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit