Një ngjarje e pazakontë që i ngjan një skene të mirëfilltë filmi ka tronditur lagjen “Banesa” në Elbasan, ku një sulm me armë zjarri la të plagosur tre persona në verandën e një lokali. Detajet e zbardhura nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe hetimet e policisë kanë nxjerrë në dritë mënyrën e çuditshme se si autori u përpoq të kamuflohej për të realizuar planin e tij.
I veshur me një xhup të zi, me doreza, parukë bjonde dhe një maskë Halloweeni, agresori iu afrua zones ku kishte përgatitur goditjen. Për shkak të pamjes së tij thuajse humoristike, ai është ndjekur për disa minuta nga pesë fëmijë të rastësishëm, të cilët e shoqëronin me të qeshura duke e konsideruar të gjithë skenën si një lojë. Pasi arriti t’i shmangte të miturit, i maskuari iu afrua verandës së lokalit dhe qëlloi me shtatë plumba në drejtim të tavolinave ku qëndronin klientët.
Nga të shtënat mbetën të plagosur 31-vjeçari Renaldo Mançe, 32-vjeçari Armand Tomorrica, si dhe kamarieri i lokalit, 19-vjeçari Bjorgi Hoxha, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, hetuesit kanë zbuluar se asnjë prej tyre nuk ishte objektivi i atentatit. Shënjestra e vërtetë e autorit dyshohet se ishte shtetasi F. Sharra, i cili ndodhej në të njëjtin ambient në ato momente.
Menjëherë pas të shtënave, autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por pas tij është vënë një efektiv policie, i cili në ato çaste ndodhej jashtë shërbimit në brendësi të lokalit bashkë me dy fëmijët e tij. Edhe pse pa armën e shërbimit me vete, oficeri e ndoqi këmbë e këmbë agresorin. Gjatë arratisjes, autori hodhi në tokë pistoletën e përdorur në krim, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor dhe do të shërbejë për marrjen e provave të ADN-së dhe gjurmëve të gishtave, përpara se ai të humbiste gjurmët duke vrapuar drejt një përroi.
Ngjarja e ndodhur në një zonë me precedentë ka ngritur dyshime të forta për përplasje mes grupimeve kriminale, pasi F. Sharra mësohet se është nipi i Kastriot Kilës, i njohur në qytet me pseudonimin “Ot Kila”. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje ai ka mohuar të ketë konflikte me ndonjë person. Po ashtu, vetë Kastriot Kila ka reaguar në rrjetet sociale duke deklaruar se nipi i tij nuk ka qenë objektiv i asnjë sulmi dhe se ndodhej në atë lokal krejtësisht nga rrethanat, pa pasur asnjë lidhje me ngjarjen.