E pabesueshme në Muriqan / Policia hap valixhen në sediljen e pasme të "Benz"-it dhe gjen brenda një grua

E pabesueshme në Muriqan / Policia hap…

Një skenë që duket si e shkëputur nga filmat me trafikantë është zbuluar mesditën e sotme në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit. Një shtetas francez dhe një shtetase tajlandeze kanë përfunduar në pranga, pasi kjo e fundit u gjet e fshehur brenda një valixheje në sediljen e pasme të një makine luksoze.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, kur një automjet tip “Mercedes-Benz” me targa të huaja u paraqit në sportel për të dalë nga territori i Shqipërisë. Mjeti drejtohej nga një 26-vjeçar francez i identifikuar si Tom Haac, i lindur në vitin 2000.

Sjellja e shoferit ose intuita e efektivëve të Policisë Kufitare ka bërë që “Benz”-i t’i nënshtrohej një kontrolli të detajuar dhe të imtësishëm në vijën e dytë. Gjatë hapjes së dyerve dhe kontrollit fizik të mjetit, policia ka mbetur pa fjalë: në sediljen e pasme, brenda një valixheje të mbyllur, ishte palosur dhe fshehur një grua me shtetësi tajlandeze.

Sipas hetimeve të para dhe deklaratave të marra në vendngjarje, plani i të riut francez ishte i qartë, por i guximshëm. Ai po tentonte ta nxirrte vajzën nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme, duke shmangur të gjitha procedurat standarde të kufirit. Destinacioni final i tyre ishte Franca, ndërsa itinerari i rrugëtimit të fshehtë do të kalonte tranzit përmes territorit të Malit të Zi dhe më pas Kroacisë.

Menjëherë pas zbulimit të bujshëm, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të të dy personave dhe ka njoftuar Sallën e Komandimit pranë DVKM Shkodër. Makina dhe valixhja-fole janë sekuestruar, ndërsa strukturat hetimore kanë nisur punën në terren për të zbuluar nëse ky është një rast i izoluar apo nëse pas dy të huajve fshihet një rrjet i mirëfilltë ndërkombëtar i trafikimit të emigrantëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit