Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një shtetasi shqiptar ka ndodhur gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës në Itali. Një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po lëvizte si këmbësor.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pak pas orës 01:00 të mëngjesit në rrugën rajonale “Strada Regionale 71”, pikërisht në zonën e njohur si “Al Matto”, një pjesë administrative e komunës së Arezzos. Aksidenti ka ndodhur pranë një kopshti fëmijësh.
Viktima, një 40-vjeçar me origjinë shqiptare i cili jetonte pikërisht në Arezzo, u godit fatalisht nga një makinë në rrethana që ende mbeten për t’u sqaruar plotësisht nga autoritetet.
Mjeti që shkaktoi aksidentin drejtohej nga një i ri po ashtu banues në Arezzo. Sipas informacioneve të para nga mediat vendase, drejtuesi i mjetit i është nënshtruar menjëherë testit të alkoolit dhe ka rezultuar negativ.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë ekipet e emergjencës mjekësore të “118” me një ambulancë të Kryqit të Kuq “Misericordia” nga Castiglion Fiorentino, si dhe një autoambulancë mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta rikthyer në jetë, plagët e marra ishin të rënda dhe 40-vjeçari ndërroi jetë.
Trupi i pajetë i shqiptarit u transportua drejt morgut të spitalit “San Donato” në Arezzo, ku është vendosur në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për procedurat e mëtejshme dhe kryerjen e autopsisë.
Ndërkohë, efektivët e Policisë Rrugore kanë kryer të gjitha inspektimet në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur provat për të rindërtuar dinamikën e plotë të kësaj tragjedie.